Festa e Liverpoolit për titullin kampion i Europës, fituar mbrëmjen e së shtunës në finalen ndaj Tottenhamit, u zhvendos në qytetin anglez. “Mbretërit” e rinj të kontinentit mbërritën në tokën britanike pasditen e së dielës, së bashku me trofeun e fituar në Madrid, për të bërë paradën tradicionale në rrugët e Liverpoolit.

Me qindra mijëra tifozë të Liverpoolit mbushën rrugët e qytetit, që për disa orë mori krejtësisht ngjyrën e kuqe, teksa shoqëruan skuadrën e tyre të zemrës teksa përshkonte të gjithë itinerarin e paradës me autobusin e hapur, që e kishin përgatitur enkas për këtë rast.

Euforia e futbollistëve, sikurse edhe ajo e tifozëve ishte në nivelet maksimale, ku padyshim u përfshi edhe trajneri Jurgen Klopp, i cili në një moment u kap nga kamerat teksa numëronte me gishtërinjtë e dorës numrin e titujve të fituar në karrierë.

Liverpooli fitoi Champions League për herë të 6 në histori, pasi mposhti Tottenhamin 2-0, me gola të Salah dhe Origi. Për “The Reds”, ai i fituar në “Wanda Metropolitano” ishte titulli i parë europian i fituar pas 14 vitesh, por ajo që ka më shumë rëndësi është se ky sukses fshiu përfundimisht zhgënjimin për humbjen e pësuar në finalen e vitit të kaluar, ndaj Realit të Madridit.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel