Qyteti i Nju Jorkut është i vendosur t’i shndërrojë qiellgërvishtësit e vjetër, që konsumojnë shumë energji, në ndërtesa më efikase dhe më pak ndotëse, duke iu kërkuar godinave gjigante të reduktojnë në mënyrë drastike konsumin e energjisë. “Empire State Building” kryeson në këtë drejtim.
“Ne kemi bërë shumë ndryshime dhe kjo për shkak të përfitimeve ekonomike dhe se është mirë për ambientin. Është po ashtu mirë të tërheqësh vëmendjen në këtë drejtim”, tha Anthony Malkin.
“Empire State Building” ka përmirësuar izolimin dhe ka përmirësuar edhe vetratat. Në këtë mënyrë është reduktuar jo pak konsumi i energjisë.
“Ky orientim i ri ka si qëllim të krijojë një treg dhe të rrisë kërkesën për teknologji të energjive efikase dhe strategji të qarta për ndërtesat. Mund të aplikohet jo vetëm në qytetin e Nju Jorkut, por edhe në qytete të tjera”, tha Nilda Mesa.
Për qytetin e Nju Jorkut, rreth 70 për qind e emetimeve të gazrave që shkaktojnë efektin serë vijnë nga ndërtesat. Kjo është një përqindje më e lartë sesa në qytetet e tjera dhe më e lartë edhe sesa mesatarja në SHBA. Qytetet e tjera, sipas ekspertëve tentojnë të jenë më të ndarë mes ndërtesave dhe transportit.
Top Channel