Kryeministrja e Serbisë Ana Bernabiç nuk mund ta vizitojë Kosovën nëse kërkon leje për shkak të deklaratave të saj “raciste”. Ky vendim pritet të merret pasi Bernabiç i cilësoi zyrtarët e Kosovës si ‘njerëz të zbritur nga mali’.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i kërkoi Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, të shpallë shtetasin rus Mikhail Krasnoshchenkov si person ‘Non Grata’. Vendimi u mor të premten ndaj këtij personi që punon si pjesë e stafit ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara dhe njëkohësisht është urdhëruar largimi i tij nga  territori i Republikës së Kosovës. “Ky vendim hyri menjëherë në fuqi. Vendimi që shtetasi rus i misionit të UNMIK-ut në Kosovë Mikhail Krasnoshchenkov të shpallet person ‘Non Grata’, u mor për shkak të veprimeve të tij kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Në të njëjtën kohë i bëhet thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që të respektojë vendimin. Por, shtetasi rus Mikhail Krasnoshchenkov tashmë nuk gjendet në Kosovë. Ai është dërguar për trajtim mjekësor në një qendër spitalore në Beograd, pasi siç thuhet, ka marr lëndime gjatë operacionit të policisë në veri të Kosovës, ditën e hënë (27.05), kur u arrestuan shumë zyrtarë të policisë të përfshirë në vepra të kundërligjshme. Atë ditë u arrestua edhe shtetasi rus, i cili thuhet se ka tentuar të pengojë operacionin e policisë së Kosovës në veri të vendit e banuar me shumicë serbe.

Në listën e Kosovës si persona të padëshiruar dhe që nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë nëse kërkon leje, tashmë është edhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç. E gjithë kjo për shkak të një deklarate të saj gjatë një konference për media në Beograd në prani të shefit të Delegacionit të BE-së në Serbi Sem Fabrizi, ku klasën politike në Kosovë ajo i cilësoi si “njerëz që kanë zbritur nga mali”. Kjo deklaratë që Bernabiç e përsëriti edhe një ditë pas, nga Prishtina zyrtare u cilësua si “deklaratë raciste dhe e papranueshme”.

“Ky është racizëm i institucionalizuar në Serbi, që ka brumin në ideologjinë ultranacionaliste të sëmurë që promovon Qeveria e Ana Brnabiçit. Shpresoj që Evropa sot të kuptojë se me çfarë lloj njerëzish kemi të bëjmë, me ata që kanë mbështetur vrasjet masive dhe mohojnë krimet e luftës të kryera nga Beogradi në ish-Jugosllavi”, shkroi në profilin e tij ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli.

“E them me përgjegjësi që sa të jem unë ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, nuk do të lejojë që Kryeministrja serbe të hyjë në Kosovë, për sa kohë që ajo të ndjekë një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu”, thotë shefi i diplomacisë kosovare.

 

I ashpër në reagimin e tij ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se “gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, është edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”. Presidenti kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta dënojë dhe të distancohet nga kjo, siç thotë “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë”, që sipas presidentit “nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim”.

“Zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha për mediet në Prishtinë Presidenti Hashim Thaçi.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA