Futbolli do të ndryshojë që nga kjo e shtunë, pasi do të hyjnë në fuqi rregullat e reja të aprovuara nga Bordi ndërkombëtar i FIFA-s në mbledhjen e 133-të të tij, të mbajtur në muajin mars.

Në të vërtetë nuk bëhet fjalë për ndryshime të rrënjësishme, por vetëm për disa modifikime që UEFA do t’i zbatojë me fillimin e sezonit të ri, ndërkohë që ato po aplikohen në Botërorin e U20-s të organizuar nga FIFA.

Një ndryshim është ai i rregullit të prekjes së topit me dorë kur është i vullnetshëm. Që nga sot do të ndëshkohet çdo prekje e topit me dorë, nëse krahu do të jetë në lartësinë e shpatullës, ose kur është në pozicion jo natyral. Në të njëjtën kohë nuk do të ketë më sulmues pranë barrierës mbrojtëse gjatë ekzekutimit të një goditjeje dënimi, kjo për të evituar ndonjë sjellje që mund të gjykohet antisportive. Sulmuesit do të duhet të qëndrojnë të paktën 1 m larg barrierës.

Në rastet e penalltive, portieri nuk do të mund të vendosë një këmbë para vijës së portës. VAR-i mund të ndërhyjë dhe të vendosë për përsëritjen e ekzekutimit të penalltisë, nëse portieri pret topin ndërkohë që këmbët e tij e kanë kaluar vijën e portës në momentin e gjuajtjes. Rregulli i kartonave do të jetë edhe për trajnerët. Edhe ata, sikurse lojtarët do të marrin karton të verdhë e më pas të kuq. Në këtë rast, për ta do të rekomandohet skualifikimi për ndeshjen pasardhëse.

Deri më sot loja vijonte edhe kur topi përplasej me arbitrin. Ky rregull nuk do të jetë më. Nëse prekja e topit nga arbitri do të jetë gol apo do të jetë një asist, atëherë loja do të ndalojë. Kur është në zonë, topi i shkon gjithnjë portierit. Në momentin e shënimit të golit me dorë, ai do të anulohet edhe në momentet kur prekja e topit me dorë është e pavullnetshme.

Ndërrimet e lojtarëve do të bëhen më shpejt, me futbollistët që nuk do të jenë më të detyruar të shkojnë në qendër të fushës për të bërë zëvendësimin, por do të dalë nga pika më e afërt e terrenit. Që tani e tutje, arbitri do t’i japë topin lojtarit që do të duhet ta vërë në lojë, ndërsa kundërshtari do të duhet të qëndrojë në një distancë prej 4 m.

Top Channel