Durimit duket po i vjen fundi! Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e artikuloi hapur se, nëse BE-ja vazhdon izolimin e vendit të tij do të shqyrtohet mundësia për veprime institucionale apo referendume për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Këto komente, kreu i shtetit kosovar i bëri në një intervistë për “RTV Dukagjini”, ku u pyet nëse e hodhi idenë e bashkimit me Shqipërinë pasi i dështoi ajo e korrigjimit të kufijve. “Ideja për korrigjimin e padrejtësive historike, për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës, kurrë nuk ka qenë më e sensibilizuar deri më tani”, u shpreh Thaçi.
“Unë shpresoj dhe besoj se kjo mund të ndodhe edhe në takimin e Berlinit. Nuk është mbyllur ndonjë ide, por as që është prezantuar ndonjë alternativë e re nga ndërkombëtarët. Ndërsa në anën tjetër, pas vonesave dhe diskriminimit që është duke i bërë Bashkimi Europian, apo shtetet anëtare të tij Kosovës, mendoj se padyshim ka ardhur koha që të mendojmë seriozisht për ndërmarrjen e hapave konkrete institucionale për një angazhim të të gjithëve, si të institucioneve, por edhe të qytetarëve, që nëse BE-ja vazhdon me këtë izolim dhe mbylljen e derës për Kosovën, për mosrespektim të arritjeve që kemi pasur deri më tani, atëherë realisht duhet të shkojmë drejt një formule të bashkimit kombëtar, qoftë përmes rezolutave në Kuvendet e të dyja vendeve tona, apo edhe përmes referendumit në Kosovë e Shqipëri, gjithmonë duke përfshirë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha Thaçi.
Përpara pak ditësh, Thaçi e përvijoi më qartë idenë e tij të bashkimit kombëtar, me deklaratën e hapur të bërë nga Hasi i Krumës, që Kosova dhe Shqipëria të jetojnë në një shtet të përbashkët, pa kufij. Kreu i shtetit kosovar nënvizoi në atë rast se, ky bashkim mund të bëhet nën “ombrellën e Bashkimit Europian” apo atë të bashkimit “nën ombrellën shqiptare” të të dyja vendeve në një territor të vetëm.
Top Channel