Anëtarë të “Lëvizjes 5 Yjet” në Itali kanë mbështetur fuqishëm udhëheqësin Luigi Di Maio për lidershipin e partisë, pas humbjes së rëndë në zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Di Maio ka fituar mbështetjen e 80 për qind të anëtarëve të “5 Yjeve” që morën pjesë në votimin e mocionit të mosbesimit, të zhvilluar në platformën “online” të partisë, të njohur si “Rousseau”.

Udhëheqësi 32-vjeçar Di Maio kërkoi votëbesimin pasi “Lëvizja 5 Yjet” mori vetëm 17 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës së kaluar, gati gjysmën e mbështetjes që siguroi partneri tjetër i koalicionit, Lega nord, duke shkaktuar kësisoj sulme të brendshme ndaj lidershipit të tij.

Partia merr disa prej vendimeve kyçe përmes votimit “online” nga anëtarët e saj, ndërkohë që i quajti zgjedhjet “një prej faqeve më të ndritura të historisë së Lëvizjes 5 Yjet sa i përket demokracisë së drejtpërdrejtë”.

Pas shpalljes së rezultatit, Di Maio premtoi “një riorganizim të thellë” të partisë, ndërsa tha se vendimin e tij të parë do ta prezantojë këtë të premte. Ndërkohë, senatori premtues i “5 Yjeve”, Gianluigi Paragone u shpreh të mërkurën se Di Maio kishte marrë shumë pushtet në parti dhe shumë role në qeverisje.

“Nëse vepron si një Supermen, duhet ta demonstrosh që je realisht një i tillë”, tha ai për “Corriere della Sera”.

Veç kreut të “5 Yjeve”, Di Maio është zv.kryeministër i Italisë, ministër i Industrisë dhe ministër i Punës në qeverinë e formuar qershorin e vitit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA