Ekspertja e njohur: Më pëlqen atmosfera e gjallë dhe transformimet pozitive të Tiranës

31/05/2019 18:34

Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla dhe me transformimin më të shpejtë. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni për turistë të huaj apo vizitorë nga rajoni, Europa, të cilët largohen me premtimin se do të rikthehen sërish.

Një nga ekspertet më të mira për Politikat Sociale dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Cecilia Vaca-Jones, e cila mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Qytetet miqësore për fëmijët” që po mbahet në Tiranë, vlerësoi kryeqytetin shqiptar për atmosferën dhe për sipërfaqet e gjelbra që po i shtohen.

“Është e vështirë të mendosh për një gjë të vetme, por unë u habita shumë me Tiranën, u mahnita. Sapo zbrita nga avioni dhe nisa të eksploroja qytetin, pashë sheshin, pashë kaq shumë kafene dhe disa parkingje që janë konvertuar në zona të gjelbra, dhe kjo më ka habitur shumë. Gjithashtu pashë edhe aplikacionin që mat cilësinë e ajrit dhe për mua është pozitive të shohësh një qytet ka atmosferën se po ndodh një ndryshim i madh. Unë do shkoj në Hagë, që është një qytet fantastik, por edhe këtu është shumë bukur. Unë vij nga Ekuadori, nga jugu, më pëlqejnë ngjyrat, më pëlqen dinamika, atmosfera e gjallë dhe më pëlqen që shoh transformime kaq pozitive në qytete si Tirana”, u shpreh Cecilia Vaca Jones, ndërsa premtoi se këtë eksperiencë të bukur në Tiranë do e ndajë edhe me kolegët e saj, duke theksuar se eksperiencat e mira si ajo në kryeqytetin shqiptar i bëjnë njerëzit të mësojnë.

“Një gjë të cilën premtoj se do ta bëj pasi të largohem, do të dokumentoj eksperiencat e mira. Eksperiencat e mira i mundësojnë njerëzit të mësojnë. Pra premtoj që me anë të organizatës, të shkruaj më shumë për atë që ndodh në Tiranë. Dhe një gjë tjetër që premtoj është se duhet të sigurohem që të ketë burra që të flasin më shumë për fëmijët dhe ndërkohë gra që të flasin më shumë për infrastrukturën”, tha Cecilia Vaca Jones.

Tirana ia ka dalë që në katër vite të shndërrohet në një qytet miqësor me fëmijët duke i vendosur ata në qendër të çdo politike të ndërmarrë nga ana e Bashkisë. Për herë të parë, kryeqyteti u bë mikpritësi i konferencës ndërkombëtare “Qytetet miqësore për fëmijët”, ku merrnin pjesë disa nga emrat më të njohur në botë në fushën e urbanistikës, UNICEF e përfaqësues të organizatave të ndryshme që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Cecilia Vaca-Jones ka më shumë se 15 vite eksperiencë në politikat dhe programet e zhvillimit social. Ka diplomë master në Politikat Sociale për Zhvillim të Qëndrueshëm nga Universiteti i Bolonjës, Itali dhe diplomë BA në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Katolik Pontificial në Ekuador.

Top Channel