Ilaçi Soludamin për pacientët që i nënshtrohen hemodializës ligjërisht duhej të shitej me 74 lekë, por në fakt ai tregtohet me 1357 lekë, pra rreth 18 herë më shtrenjtë. Etiketat e vendosura mbi bar janë gjetur të falsifikuara.
“Nëse kjo pullë është e falsifikuar, atëherë jemi përpara një mashtrimi të kryer, pra të vjedhjes më anë të mashtrimit, duke përdorur edhe vula të falsifikuara. Në momentin që kjo pullë është e falsifikuar, duhet parë se çfarë ka deklaruar subjekt në organet tatimore. Pra ka deklaruar realisht shumën që ka përfituar nga pacientët, pa të drejtë apo jo. Nëse nuk ka deklaruar, atëherë jemi përballë një evazioni fiskal”, shprehet avokati Marsel Zhupa.
Sipas tij jemi përballë një mashtrimi dhe falsifikimi. Në këtë rast, Zhupa thotë se është përdorur vula e falsifikuar për të mashtruar pacientët. “Çdo kush që futet në farmaci i krijohet besimi se barnat që shiten aty janë të kontrolluara për cilësinë, për përmbajtjen e tyre dhe porsa i përket edhe çmimit”, vijon me argumentimet avokati.
Ndërkohë që nuk dihen ende gjetjet e Prokurorisë që vijon me hetimin, avokati thotë se pacientët kanë të drejtë dëmshpërblimi.
“Pacienti realisht ka pësuar një dëm dhe është kompania farmaceutike në këtë rast që duhet ta dëmshpërblejë. Ai ka blerë një bar me një çmim mbi atë që rregullohet me ligj”, shprehet Zhupa.
Avokatet e cilësojnë gjithë këtë skemë si shumë të rafinuar dhe mbi të gjitha shumë të guximshme.
“Është Kodi Civil ai që e rregullon këtë situate, është shumë i qartë. Çdokush që pretendon se i është shkaktuar një dëm, në rastin konkret nëse vërtetohet edhe nga hetimi i Prokurorisë, vepra e mashtrimit, atëherë çdokush mund t’i drejtohet Gjykatës dhe të kërkojë dëmshpërblim nga subjekti në fjalë”, përfundon Marsel Zhupa.
Top Channel