Austria do të ketë për herë të parë një kancelare grua. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Brigitte Bierlein, do të drejtojë qeverinë e tranzicionit, të përbërë nga ekspertë.
Njoftimin e bëri kreu i shtetit austriak Alexander Van der Bellen, i cili sqaroi se do ta emërojë atë “pas pak ditësh”, në postin e shefes së ekzekutivit.
Lideri i qeverisë konservatore austriake, Sebastian Kurz, e humbi votëbesimin për shkak të skandalit të videos së zëvendëskancelarit nga ekstremi i djathtë Heinz-Christian Strache, i cili shihej në filmim duke i premtuar oligarkëve rusë favore nga paratë e taksapaguesve austriakë, nëse ata e ndihmonin në zgjedhje.
Van der Bellen e ngarkoi zonjën Bierlein me krijimin e një qeverie të re, që do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar të cilat mbahen në vjeshtë. Presidenti u shpreh se e vlerëson lart atë si një personalitet të matur, si largpamëse dhe shumë kompetente.
“Van der Bellen theksoi, se bëhet fjalë për administrimin e mirë dhe të duhur të punëve të shtetit. Ai ka rënë dakord me Bierlein që në qeveri të marrin pjesë kryesisht ekspertë të njohur dhe për këtë, pret përkrahje nga partitë e përfaqësuara në parlament.
Top Channel