Wake Up/ Vlashent Sata: Zgjodha Dojna Memën se është yll e bukur

30/05/2019 12:09

Vlashenti është një ndër artistët më të veçantë shqiptar, i cili prej vitesh e zhvillon karrierën e tij në Francë, si artist dhe pedagog i pianos. Megjithatë lidhjen me Tiranën e ka të ngushtë, pasi vjen herë pas herë për koncerte apo për të promovuar muzikën e tij.

Ai sapo ka publikuar klipin më të fundit me titull “Copëzat”, një këngë mjaft e ndjerë, një dedikim dashurie, me një klip minimalist, bardh e zi. Si protagoniste të videoklipit, Vlashenti ka zgjedhur një ndër moderatoret e Top Channel, Dojna Memën.

Pse kjo zgjedhje?-ishte pyetja që ju drejtua atij në Wake Up. “Sepse Dojna Mema është yll e bukur”- tha Vlashenti, por pa zbuluar nëse ishte ajo dëgjuesja e parë e këngës “Copëzat”, e cila ka marrë shumë vlerësime pozitive dhe klikime po ashtu. Lidhja e Vlashentit me muzikën ka nisur herët, që në moshën 5 vjeҫare dhe kur bëri 6 vjeҫ ai nisi të ushtrojë piano.

Në vitin 2002, ai shkoi në Francë për të vazhduar studimet e pianos dhe përfundoi të gjitha ciklet e konservatorëve, së pari në Bordo, pastaj në Paris. Disa nga këngët e tij më të njohura janë: “Hana”, “Ëmbël”, “Tregimi i fluturës”, “Erdhi dita”, “Bab”, “Djemtë e balonave”…etj.

Top Channel