Të fitosh Champions League në volejboll për femra është një arritje që çdokush e ëndërron. Shqiptarja Erblira Bici e bëri realitet këtë ëndërr, teksa skuadra e saj Novara mundi Coneglianon në finale, në një përsëritje të finales së Kupës së Italisë.

Në një intervistë për Top Channel, Bici tregoi emocionet e përjetuara për këtë sezon të jashtëzakonshëm që përjetoi.

“Ishte një vit i paharrueshëm. Kam kaluar shumë momente të bukura, nga fitimi i Kupës së Italisë dhe Championsi, që ishte mbyllja perfekte. Nuk mund të kishte mbyllje më të bukur sesa kaq. Për mua ishte një emocion të isha në atë sallë të mbushur plot e përplot”, tha Erblira Bici, volejbolliste.

Për sportisten nga Gramshi nuk ishte aspak e lehtë që të arrinte majat në volejbollin europian, por falë punës dhe besimit të trajnerit, ajo gjithsesi ia doli mbanë.

“Ka qenë e vështirë, por trajneri më ka dhënë disa herë besimin duke më futur titullare. Edhe unë jam munduar t’ia shpërblej besimin e dhënë duke luajtur në maksimumin tim. Sigurisht duke i treguar që vlej për të qenë në atë kampionat”, tha më tej volejbollistja Bici.

Bici tregon se nuk ka pasur idhull në volejboll dhe se këtë sport nisi ta aplikojë falë mbështetjes së nënës së saj, duke shtuar më pas se shpreson që të arrijë një sukses edhe me Kombëtaren.

“Është diçka ndryshe nga çdo gjë tjetër, sepse nuk kam pasur ndonjë idhull. E kam nisur në Gramsh dhe thjesht me shtysën e mamit, si një fëmijë. Më pas u kthye në një profesion për mua. Nuk e di, as Champions Leaguen nuk e kisha menduar, ndaj shpresoj që me Kombëtaren të arrijmë diçka më shumë”, deklaroi Erblira Bici.

Top Channel