Të paktën 7 persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbysjes së një varke në lumin Danum, në kryeqytetin hungarez, Budapest.

Në bordin e varkës ishin 33 persona, shumica e të cilëve turistë nga Koreja e Jugut, në çastin kur ajo u godit nga një tjetër mjet lundrues teksa ankorohej, sipas asaj që njofton agjencia e lajmeve “MTI”. Incidenti është regjistruar rreth orës 22 të natës së të mërkurës.

Lumi Danub, një prej destinacioneve më tërheqëse për turistët, ishte fryrë për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar edhe rryma të forta. Varka e përmbysur, e identifikuar si “Hableany” (Sirena), kishte dy kuverta dhe një kapacitet prej 45 personash për lundrime turistike.

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut konfirmoi se 19 koreano-jugorë nuk janë gjetur ende, ndërsa shtoi se qeveria ka planifikuar të dërgojë një ekip zyrtarësh në Hungari, ndërsa për familjarët e viktimave do të ofrohet edhe ndihmë këshillimi.

Duke folur në një konferencë për shtyp nga Seuli, zëdhënësi i agjencisë së udhëtimit që kishte ndërmarrë këtë tur turistik, Lee Sang-moo tha se të paktën një fëmijë është mes të zhdukurve.

Përpjekjet për kërkim-shpëtim vijuan deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, me varka, zhytës, prozhektorë dhe radarë që kanë skanuar rrjedhën e ujit përgjatë disa kilometrave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA