Ligjvënësit izraelitë kanë votuar për shpërndarjen e Parlamentit, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu dështoi të formonte një qeveri koalicioni, e pas kësaj do të duhet të mbahen zgjedhje të reja në vend, data e të cilave është përcaktuar më 17 shtator.
Netanyahu nuk mundi të arrinte një marrëveshje për një koalicion të ri me partinë e ekstremit të djathtë, pas zgjedhjeve të muajit të kaluar, e në thelb të ngërçit qëndron projektligji për rekrutimin ushtarak, që rregullonte përjashtimet për studentët ultraortodoks.
Kjo është hera e parë në historinë e Izraelit, që një kandidat për kryeministër, i cili ka fituar zgjedhjet dhe ka marrë mandatin për formim qeverie, nuk ia del mbanë të krijojë koalicionin.
Parlamenti votoi me 74 vota pro dhe 45 kundër për shpërbërjen, kjo pasi Netanyahu humbi afatin përfundimtar që i ishte caktuar, mesnata mes të mërkurës dhe të enjtes me orën lokale (23 me orën tonë).
Netanyahu, i cili kërkonte një mandat të pestë në pushtet, hyri në negociata për qeveri koalicioni pasi partia e tij “Likud” fitoi vetëm 35 vende në Parlamentin (Knesset) me 120 deputetë gjatë zgjedhjeve të prillit. Por ai u përplas me ish-ministrin e Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, mbështetja e të cilit në këto bisedime ishte jetike, pasi nacionalisti i partisë “Yisrael Beitenu” vuri kushte.
Netanyahu kërkoi zgjedhje të reja, në mënyrë që t’i hiqte të drejtën presidentit Reuven Rivlin të caktonte një tjetër anëtar parlamenti në përpjekje për të formuar qeverinë e re.
Top Channel