Rafael Nadal dhe Roger Federer nuk hasën shumë vështirësi në kualifikimin për në raundin e tretë të “Roland Garros”.

Tenisti spanjoll eliminoi gjermanin Yannick Maden, teksa e mundi me rezultatin 3-0. Maden u mundua t’i rezistojë lojës së Nadalit, që kërkon titullin e 12 në turneun parizien, por ishte e pamundur. Tenisti nga Majorka, që pas pak ditësh do të festojë 33-vjetorin e tij të lindjes, i fitoi setet 6-1, 6-2 dhe 6-4.

Edhe Roger Federer u përball me një tenist gjerman në raundin e dytë, Otten, të cilin e mundi me rezultatin 3-0. Numrit 3 të renditjes botërore iu deshën 1 orë e 36 minuta për të mbyllur llogaritë e sfidës, me zviceranin që i fitoi setet 6-4, 6-3 dhe 6-4.

Për femra, Garbine Muguruza u kualifikua për në raundin e tretë, pasi regjistroi një fitore të lehtë ndaj suedezes Larsson me rezultatin 2-0. Tenistja spanjolle, që tani është e 19 në renditjen botërore, e dominoi sfidën duke i fituar setet 6-1 dhe 6-4, në vetëm 1 orë e 4 minuta lojë.

Biletën për në raundin e tretë e preu edhe amerikania Sloan Stephens, që mundi spanjollen Sorribes Tormo 2-0. Seti i parë ishte i lehtë për Stephens, që e mbylli atë 6-1, ndërsa në të dytin ekuilibri ishte shumë më i madh, me amerikanen që arriti ta fitojë atë vetëm pas “tiebreak”-ut 7-6.

Top Channel