Një ceremoni madhështore për përurimin e autostradës Arbën Xhaferri që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Autostrada Arbën Xhaferri është konsideruar si një rrugë që do të shërbejë si urë bashkëpunimi mes shteteve fqinje nga e cila do të përfitojë i gjithë rajoni.

Në ceremoninë e organizuar merrnin pjesë liderët kosovarë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Ndërkohë që ishin të ftuar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ai i Malit të Zi, Dushko Markovic.

“Nëse dje na është dukur e pamundur që të kryejmë këtë autosradë, sot ia kemi arritur. Kjo është Kosova e re, moderne dhe evropiane”, u shpreh Thaçi.

Ndërsa për kryeministrin Ramush Haradinaj, kjo rrugë po afron më shumë vendet fqinje dhe po i jep një pamje të re, të gjithë rajonit.

“Kjo rrugë na afron me njëri tjetrin dhe na bashkon me Evropën. Kjo i jep një pamje të re jo vetëm Kosovës, por dhe rajonit. Shpresoj që bashkë me mikun tim, Zoran Zaev që së bashku të takohemi në anën tjetër për të përuruar pjesën e Maqedonisë së Veriut. Është bërë kujdes që ky investim të bëhet në përputhje në aspektet ligjore, kemi pasur pak pengesa, por kemi realizuar qëllimin”, u shpreh ai.

Pas autostradës Ibrahim Rugova, që lidh Kosovën me Shqipërinë, “Arbën Xhaferri” është korridori i dytë i rëndësishëm në vend. Ajo lidh Prishtinën me Maqedoninë Veriore në vetëm 45 minuta dhe mban ndër të tjera edhe urën më të gjatë të rajonit.

Autostrada ka një gjatësi prej 65.5 km dhe ka kushtuar mbi 700 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA