Franca dhe Gjermania nuk ranë dakord për kandidaturën që duhet të marrë një nga rolet më kyçe të BE-së, teksa udhëheqësit e bllokut u takuan në Bruksel pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.

Votimet bënë që blloqet kryesore të qendrës të humbisnin shumicën, ndërsa “të gjelbrit” dhe nacionalistët të fitonin terren. Kancelarja gjermane dëshiron që kandidati i qendrës së djathtë, Manfred Weber të zgjidhet president i Komisionit Europian pas kësaj. Megjithatë, presidenti francez, Emmanuel Macron as nuk e përmendi në emër Weberin si një pretendent për pozicionin me shumë ndikim.

  Macron, kundër Merkelit: Emrat aktualë na bllokojnë

Komentet e tyre u bënë gjatë një takimi informal të së martës në Bruksel, që përbënte një mundësi për udhëheqësit e BE-së për të diskutuar panoramën e re politike dhe kandidatët që duhet të marrin postet më të larta drejtuese.

Zgjedhjet lanë Bashkimin Europian më të fragmentarizuar, ndërsa shanset për arritjen e një konsensusi janë gjithnjë e më të vështira.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk tha se “Brexit” ishte një faktor vendimtar që bëri që një shumicë dërrmuese e qytetarëve europianë votuan partitë proeuropiane.

“Europianët e panë se ç’do të thotë Brexit në praktikë, ndaj dhe nxorën konkluzionet. Brexit ka qenë si një vaksinë kundër propagandës anti-BE dhe lajmeve të rreme”, tha ai.

Kryeministrja britanike, Theresa May mori pjesë në bisedime, por Tusk tha se “Brexit” nuk u diskutua në këtë takim.

Komisioni Europian është trupa që zbaton rregullat e BE-së dhe harton projektligjet e BE-së, ndërsa presidenca e saj mbahet aktualisht nga Jean-Claude Juncker, i cili është në përfundim të mandatit të tij 5-vjeçar. Në vitin 2014, Juncker u zgjodh kreu i Komisionit si kandidat i Partive Popullore Europiane të qendrës së djathtë, pasi EPP/PPE kishte fituar zgjedhjet.

Por, këtë herë, sfida është më e vështirë për kandidatin Weber, edhe ky gjerman, pasi blloku i tij ra nga 217 eurodeputetë në 180 gjithsej në Parlamentin Europian me 751 vende, edhe pse mbeti sërish grupi më i madh. Por nëse nuk zgjidhet Weber, kush meriton të zgjidhet?

Disa kandidatë të tjerë që garojnë për këtë post janë kryenegociatori i BE-së për “Brexit”, Michel Barnier, francez, liberalja daneze Margrethe Vestager, si dhe kandidati i qendrës së majtë, Frans Timmermans, holandez.

Mes posteve të tjera të BE-së që do të zëvendësohen më vonë gjatë këtij viti janë presidenti i Këshillit Europian, largohet polaku Donald Tusk; presidenti i Bankës Qendrore Europiane, largohet italiani Mario Draghi; si dhe përfaqësuesja e lartë e Politikave të jashtme, italiania Federica Mogherini.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA