Gënjeu publikun gjatë fushatës së “Brexit”-it, Boris Johnson thirret në gjyq

29/05/2019 13:18

Ai që mendohet se është pretendenti për të marrë postin e kryeministres Theresa May është thirrur të dalë përpara gjykatës, për t’u përballur me akuzën për shpërdorim të postit publik, në lidhje me një pretendim që ai ngriti gjatë fushatës së referendumit të “Brexit”-it në vitin 2016.

Ish-kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, e më pas Sekretar i Jashtëm britanik, deklaroi gjatë fushatës se Britania i paguante çdo javë Bashkimit Europian 350 milionë stërlina.

Juristët paraqitën kërkesën në Gjykatën e Magjistraturës në Westminister, që Boris Johnson të dilte para gykatës në kuadër të një ndjekjeje penale private.

Marcus Ball, pasi mohon se kjo lëvizje tenton të ndikojë në procesin e “Brexit”-it, shton se sjellja e Boris Johnson ishte e papërgjegjshme dhe e pandershme. Sipas tij, Britania kurrë nuk i ka dhënë 350 milionë stërlina në javë Bashkimit Europian.

Gjykatësja e çështjes, Margot Coleman e ka kaluar çështjen në Gjykatën e Kurorës Mbretërore për gjykim. Boris Johnson është kandidati pretendent për postin e kryeministrit të ri të Britanisë në radhët e konservatorëve dhe është e paqartë sesa do të ndikojë një shpallje fajtor nga gjykata, në garën për të marrë çelësat e ekzekutivit britanik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA