Një natë muzikore e gjatë do të jetë në Amfiteatrin e Liqenit që përfshin nga repertori operistik botëror, këngë napolitane, hite të këngëve shqiptare në vite, aq të dashura për publikun, motive spanjolle, greke, ruse, etj.
Ky koncert është konceptuar si një super mbrëmje me një nga zërat më potent dhe të fuqishëm të muzikës operistike në Shqipëri tenorit Armaldo Kllogjeri, këtu në skenë e Amfiteatrit të Liqenit të Tiranës.
Si lindi e gjithë idea për të qenë pranë publikut, nesër, që përkon edhe me 1 vjetorin e këtij Amfiteatri?
“Në fakt është vërtët koincidencë. Nuk e kisha menduar që do ishte kjo datë. Si koncert lindi thjesht spontanisht. Bëra projektin, e paraqita dhe Bashkia u tregua e gatshme për të më mbështetur dhe këtu pastaj nisi i gjithë rrugëtimi për të bërë këtë aktivitet”,u shpreh Armaldo Kllogjeri, tenor.
Kllogjeri përbën një vlerë të padiskutueshme të artit operistik në Shqipëri prej më shumë se 15 vitesh, kur vihet re një mungesë e ndjeshme e këngëtarëve tenorë dhe më konkretisht e zërave të tillë potentë dhe që kalojnë nga njëri rregjistër në një tjetër në mënyrë të natyrshme.
Këto 15 vjet keni një dedikim të veçantë për karrierën tuaj ndaj dikujt?
“15 vjet karrierë. Dedikimi i veçantë i shkon familjes sime që më ka nxjerrë në jetë për të bërë këtë muzikë. Dedikimi i veçantë i vjen bashkëshortes sime. Nuk është e thjeshtë. ka shumë hapa që edhe mund të pengohesh”, vijoi tenori.
E ftuar e mbrëmjes është sopranoja Ramona Tullumani dhe publiku do të ketë mundësinë të emocionohet nga ky repertor.
“Ariet nga më të bukurat e repertorit operistik dhe të operave. Do gëgjijë këngë shqiptare të bukura. Do dëgjojë këngë napoletane të bukura. Do dëgjojë pjesë korale të bukura dhe mendoj që ata që do ta shikojnë dhe dëgjojnë do të ndihen nga ana emocionale shumë mirë, sepse kuptohet që edhe vendi ku ne jetojme ka pak nevojë për një muzikë të tillë”, tha Kllogjeri.
Top Channel