Nuk jemi kazani i plehrave të vendeve të pasura. Kështu deklaroi qeveria Malajziane pas vendimit për ti kthyer dërguesve, mes të cilëve Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, rreth 3 mijë ton plastikë të pariciklueshme.
Mbeturinat, të ngarkuara mbi 60 konteniere, do të hynin fshehurazi në vend për t’u shkarkuar në vend grumbullime të paligjshme. “Jemi një vend i vogël, por nuk mund të jemi viktima të bullizmit nga ana e vendeve të zhvilluara”, ka thënë Ministri Malajzian i ambjentit.
Autoritetet lokale kanë mbyllur ndërkohë 150 vend grumbullime të paligjshme mbeturinash. Fenomeni i mbeturinave klandestine që çohen në Malajzi, është intensifikuar në mënyrë të dukshme që kur Kina vendosi të ndalonte importin e plehrave.
Rreth 300 milionë tonë plastikë prodhohet çdo vit, sipas fondit ndërkombëtar për natyrën, dhe pjesa më e madhe e tyre përfundojnë në vend grumbullime mbeturinash apo ndotin detet, në atë që është bërë një krizë e vërtetë ndërkombëtare.
Më herët, Kina merrte sasi të mëdha mbeturinash për riciklim, por vendosi vitin e kaluar të ndalonte importet duke thënë se donte të përmirësonte ambjentin në vend. Tani, vendet e Azisë Juglindore po ndjekin të njëjtin shembull duke thënë se janë të tejngopur me plehra.
Top Channel