Lideri demokrat Lulzim Basha nga Elbasani u shpreh se një qeveri e përbashkët Rama-Basha është një trillim i socialistëve për të larguar krizën.
Basha tha se nuk do të bëjë pazar me të keqen, por pranoi se i ka premtuar partnerëve ndërkombëtarë një dialog për një zgjidhje të krizës.
“Zotimi im si kryetar i Partisë Demokratike, si kryetar i opozitës së bashkuar,para jush dhe përmes jush, para çdo shqiptari të ndershëm, është se nuk do të ketë pazar me të keqen, se beteja për Shqipërinë si e gjithë Evropa do të shkojë deri në fund, deri në fitore.
Me siguri i keni dëgjuar thashethemet që përhapin. Minjtë e ndjejnë frikën, e ndjejnë ankthin. Kanë filluar të përhapin versionet e daljes nga kriza: qeveri e përbashkët Basha-Rama!”, tha ai.
Deklarata e Bashës
Të gjithë e dinë se ky është një pushtet ilegjitim, i bazuar tek bashkëpunimi me krimin. Hodhi poshtë kërkesën për hetime, ndërroji e kapi drejtësinë, nuk pranoi ligji për vetingun e politikanëve dhe mendoi se do e kalonte lumin. Po ne bëmë atë që diktuar ju me bashkimin tuaj me 16 shkurt. Ne u larguam nga parlamenti i krimit, ne nuk jemi më fasadë e krimit, ne jemi me ju. Dhe ky parlament ka pushuar së ekzistuari për opozitën, për shqiptarët e bashkuar. Çdo akt i tij është ilegjitim, nuk e njohim dhe do ta zhbëjmë. Nuk i njohim aktet e një parlamenti kukull të krimit, një parlament që bëhet gati të instalojë diktaturën në çdo nivel. Edhe kjo që po bëjnë me Akademinë e Shkencave është instalim i diktaturës. Po bëjnë gati kamzhikun për t’u mbyllur gojën intelektualëve, për ti mbyllur gojën elitës së vendit.
Këtu nga Elbasani i normales, nga Elbasani i dijes dhe i kulturës, dua t’i siguroj të gjithë intelektualët e ndershëm shqiptarë se nuk i njohim asnjë akt të këtij parlamenti ilegjitim.
Le të ja kujtojmë gjithë secilit që e ka kujtesën e shkurtër, se këtë betejë nuk e nisëm për pushtetin tonë, atë e dorëzuam, se këtë betejë nuk e nisëm për karriget tona, se ato nuk janë tonat por ato janë të popullit, qytetarëve, janë të shqiptarëve. Se në këtë betejë nuk jemi për të marrë pushtet në tavolinë, sepse pushteti në tavolinë, është pushteti i krimit, është pushteti i oligarkisë. Nuk është kurrë pushteti i qytetarëve, është plaçkitja e qytetarëve.
Ndaj le ta them qartë dhe prerë: Pazar në kurriz të qytetarëve, kurrë, kurrë, kurrë. Asnjëherë.
“Dua ta them fare qartë, se ne miqve tanë perëndimor u kemi komunikuar gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e kësaj zgjidhje politike për vendin, se kjo zgjidhje politike në mënyrën më të qartë dhe më të vendosur, duhet të ndjekë vetëm një rrugë: rrugën e parimeve, standardeve dhe normave europiane.
Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por nuk do të pranojmë asgjë më pak se standardet europiane, parimet europiane, normat europiane. Vetëm kështu do të mund të parandalojmë kalimin nga kriza në krizë. Nuk ka rrugë tjetër, largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm.
Top Channel