6 protesta kombëtare të opozitës dhe 5 letra ftesë të Kryeministrit drejtuar kreut të opozitës nuk kanë prodhuar asnjë efekt politik pasi edhe qeveria nuk ka rënë por edhe blloku i partive opozitare nuk është tërhequr e thotë se nuk do të bëjë hapa pas në synimin për të larguar Edi Ramën.
Artur Zheji, një nga kritikët më të ashpër të Kryeministrit ishte sot në Top Talk për të bërë një prognozë të asaj që po ndodh e pritet të ndodhë përfshirë edhe lëvizjet e nëndheshme politike për të gjetur një zgjidhje politike për këtë krizë institucionale që opozita prodhoi për të rrëzuar qeverinë e rilindjes.
Zoti Zheji thotë se Rama nuk është i sinqertë në ftesat që i bën kreu të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Është Basha që e detyroi Ramën të dalë në procesin e joshjes politike, me anë të letrave. Është forca e reagimit opozitar, është masiviteti i protestave opozitare, të cilat nuk erdhën duke u mpakur, siç ishte parashikimi ogurzindjellës i Kryeministrit apo i zareve të vet. Pamë një protestë që nuk shkoi drejt fikjes por drejt ndezjes. Kur një protestë shkon drejt ndezjes, shkon drejt progresionit. Pakënaqësia ndaj Ramës tregon urgjencën e Ramës për tu ulur për të negociuar. Tani është në fazën e joshjes. Se çfarë ka poshtë letrave, nuk e dimë asnjëherë atë që lexojmë në shkëmbimet epistolare të politikaneve, nuk janë ato që vërtetë transmetohen në kanale të tjera”, tha zoti Zheji.
Top Channel