Regjisori koreano-jugor, Bong Joon-ho ka fituar çmimin më prestigjioz të Festivalit të Filmit në Kanë. “Palma e artë” iu dha për filmin e tij “Parasite”, një thriller-komedi e zezë që eksploron dinamikat e klasave sociale.
Festivali u mbyll mbrëmjen e djeshme pas 11 ditësh prezantimi të filmave dhe dokumentarëve të rinj. Regjisorja franko-senegaleze, Mati Diop u bë e para regjisore femër me ngjyrë që fiton një çmim në historinë 72-vjeçare të Kanës.
Diop fitoi “Grand Prix”, ekuivalenti i çmimit të argjendtë për “Atlantics”, një dramë senegaleze për emigrantët e rinj dhe politikën seksuale. Më herët, ajo kishte thënë se ishte pak e trishtuar që ishte dashur të vinte viti 2019, që një film i një gruaje me prejardhje afrikane të transmetohej në festival.
Ndërsa filmi më i fundit i Quentin Tarantinos, “Once Upon a Time in Hollywood”, që ka marrë edhe shumë kritika pozitive, doli nga ceremonia e mbylljes me duar bosh.
Emily Beecham, shtetase amerikano-britanike mori çmimin si “aktorja më e mirë”, për rolin e saj në “Little Joe”, një film fantastiko-shkencor për një grua, aroma e së cilës ngjall eufori.
Çmimi si “aktori më i mirë” i shkoi Antonio Banderas për rolin e tij në “Dhimbje dhe lavdi”, historia e një regjisori që përballet me moshën e mesme dhe krizën krijuese.
Top Channel