Amerikanët e interesuar për sigurimin e të drejtave rezidenciale apo edhe nënshtetësi në Europë, kanë sot më shumë alternativa sesa kurrë më parë në histori. Gjithçka varet nga koha dhe paratë që kërkojnë të shpenzojnë për arritjen e këtij objektivi.

Nëse gëzojnë një buxhet të mjaftueshëm, për shembull mund të bëjnë një donacion 250 mijë eurosh për artet në Portugali dhe të përfitojnë rezidencën dhe eventualisht nënshtetësinë e këtij vendi, si këmbim.

Nga ana tjetër, për rezidencë në Portugali mund të kualifikohesh edhe nëse tregon se përmbush kriterin e të ardhurave minimale prej 1.200 eurosh në muaj, për person. Nëse dikush kërkon të jetojë në Portugali, ky është opsioni që duhet ndjekur. Pas kësaj, personi në fjalë duhet të jetë fizikisht i pranishëm në vend të paktën 183 ditë në vit. Ndërsa përmes një investimi në arte (përmes një donacioni qeveritar), kriteri i pranisë fizike është 7 ditë në vit.

Por, më të njohurat mes opsioneve për rezidencë që çojnë eventualisht edhe në nënshtetësi, janë të ashtuquajturat programe “Golden Visa”, për të cilat kualifikohesh duke bërë një investim në vend, zakonisht në pasuri të patundshme, por edhe në gjëra të tjera.

Por cilat janë opsionet më të mira të investimeve për rezidencë dhe nënshtetësi, sot në Europë?

QIPRO – Të kualifikohesh për rezidencë dhe nënshtetësi në Qipro përmes një investimi në pasuri të patundshme, duhet të shpenzosh të paktën 300 mijë euro në prona. Kushti është që prona duhet të jetë e re dhe në një nga mjediset zhvillimore të miratuara nga qeveria. Shumica e vendeve kërkojnë që investimet në pasuri të patundshme që bëhen për përfitimin e rezidencës, të jenë në emrin e aplikantit. Ndërsa Qipro lejon që pasuritë e patundshme të zotërohen edhe nga një entitet, me aplikuesin e parë për shtetësi dhe bashkëshorten/in, nëse ka, si përfituesit e drejtpërdrejtë. Koha e qëndrimit në vend është thjesht një herë në dy vite. Sigurisht mund të aplikohet për natyralizim pas 7 vitesh rezidencë. Por, personi duhet të jetë për 12 muaj pa shkëputje në vend, përpara aplikimit për nënshtetësi. Pas natyralizimit, personi pritet të jetojë në vend përgjithmonë. Kjo nuk do të thotë që duhet të qëndroj 365 ditë të vitit në Qipro për pjesën e mbetur të jetës, por duhet të jetohet në Qipro nëse është siguruar nënshtetësia.

GREQIA – Me vetëm 250 mijë euro, kërkesa për investimin minimal në Greqi është ndër më të ulëtat sesa çdo program tjetër rezidencial europian. Çmimet e pasurive të patundshme në shumë zona të Greqisë janë të nënvlerësuara, pasi vendi është në hapat e parë të rikuperimit pas krizës kombëtare gati dhjetëvjeçare të borxheve. Faktikisht, personi i interesuar mund të hasë në vështirësi për shpenzimin e kësaj shume, por fatmirësisht Greqia lejon që të kombinosh disa blerje pronash për të arritur kufirin e 250 mijë eurove. Programi grek nuk ka një kohë të përcaktuar qëndrimi të detyrueshëm, gjë që do të thotë se ju mund të investoni për diçka atje, të fitoni rezidencën, e më pas të lëvizni anembanë zonës “Schengen” edhe nëse nuk shkelni më në Greqi nëse nuk dëshironi. E vetmja gjë që duhet bërë është të shkohet vetëm një herë për të plotësuar letrat e rezidencës dhe të merret leja. Gjithsesi, nëse dëshirohet edhe një pasaportë greke, atëherë duhet planifikuar shpenzimi i kohës në vend. Për natyralizimin duhet mësuar gjuha me patjetër, por s’ka rëndësi të jeni të rrjedhshëm, pranohet edhe mjaftueshëm por pa harruar se duhet mësuar alfabeti. Por kujdes! Greqia ka të detyrueshëm shërbimin ushtarak për meshkujt grekë nën 45 vjeç, gjë që ndoshta mund të mos jetë problem për investitorin (nëse është mbi këtë moshë), por plani përfshin edhe fëmijët.

LETONIA – Letonia njihej dikur si vendi më i mirë dhe më i lehtë në BE për t’u kualifikuar për rezidencë. Dikur, minimumi i investimit në pasuri të paluajtshme në këtë vend ka qenë 160 mijë euro. Sot, ky limit është ngritur në 250 mijë euro, shto këtu edhe 5% tarifa aplikimi bazuar në çmimin e pronës. Për të ruajtur statusin e rezidentit mjafton ta vizitosh vendin një herë në vit, por nëse objektivi është për t’u pajisur me pasaportë të dytë nga ky vend, duhet të shpenzosh më shumë kohë, përfshi këtu jetesën me kohë të plotë në Letoni gjatë 12 muajve të fundit përpara aplikimit për natyralizim. Pas 5 vitesh si rezident i përhershëm, personi i interesuar lejohet të aplikojë për nënshtetësi, por leja e parë e qëndrimit do të jetë e përkohshme për vetëm 5 vite. Kjo do të thotë se periudha 5-vjeçare përpara se të mund të bëhesh i gatshëm për natyralizim është në fakt një minimum prej 10 vitesh. Ashtu si Greqia, edhe Letonia kërkon të flasësh rrjedhshëm gjuhën vendase nëse bëhesh shtetas i saj. Për më shumë, vendi balltik nuk njeh dyshtetësinë. Ndaj, të marrësh rezidencën letoneze ia vlen vetëm nëse vendos të jetosh atje dhe je i gatshëm të heqësh dorë nga shtetësia juaj aktuale dhe pasaporta aktuale.

MALTA – Nënshtetësia e këtij vendi përmes programit të investimit lejon të aplikohet për natyralizim pas 12 muajsh rezidence, nëse bën një blerje pasurie të patundshme për më shumë se 350 mijë euro, nëse investon 150 mijë euro në bonot qeveritare, apo dhuron 650 mijë euro për Fondin e Zhvillimit Kombëtar dhe Social. Një shtesë prej 25 mijë eurosh kërkohet nëse aplikon bashkë me bashkëshortin/en. Veç kësaj, duhet të jetohet në Maltë për të paktën gjysmën e vitit të fundit. E gjitha kjo është quajtur programi “Fast Track”. Përndryshe, kushdo mund të kualifikohet për rezidencë me një blerje pasurie të patundshme prej 320 mijë eurosh (270 mijë euro nëse blen ishullin maltez të Gozos), shto këtu një investim prej 250 mijë eurosh në bonot qeveritare dhe një dhurim qeveritar prej 30 mijë eurosh. E ndërsa prona apo bonot qeveritare mund t’iu sigurojnë kthim nga investimi, dhurimi është gjithnjë një shpenzim dhe nuk do të të kthehet mbrapsht. Por, avantazhi më i madh i Maltës ka të bëjë me qasjen e saj për taksat. Të ardhurat nga burime të jashtme për invidivin e interesuar kualifikohen për taksim me 15% taksë të sheshtë. Një tjetër avantazh është se gjuhë zyrtare në vend është edhe anglishtja.

MALI I ZI – Edhe pse nuk ka një program “Golden Visa”, Mali i Zi ofron rezidencë për këdo që blen prona në vend, pa një minimum të përcaktuar investimi për t’u kualifikuar. Minimumi praktik është rreth 50 mijë euro, duke e kthyer këtë opsion në më të lirin të mundshëm deri më sot. Një dobësi e programit të Malit të Zi është se duhet të rinovosh lejen rezidenciale çdo vit, duke e bërë faktorin e burokracive administrative tejet të madh. Veç kësajm duke qenë se Mali i Zi nuk është pjesë e BE-së, për të cilën ka aplikuar në vitin 2008 e ndoshta mund të pranohet në vitin 2025, apo e zonës “Schengen”, të kesh nënshtetësinë e këtij vendi nuk do të të hapen dyert e Europës. Mali i Zi nuk është një opsion i mirë për natyralizim, pasi vendi ballkanas, ashtu si Letonia, nuk lejon dyshtetësinë.

SPANJA – Programi “Golden Visa” i Spanjës është më i shtrenjti në Europë, pasi kërkon blerjen e një pasurie të patundshme prej të paktën 500 mijë eurosh. Veç kësaj, leja rezidenciale duhet rinovuar çdo dy vite, ndërkohë që në vende të tjera është çdo 5 vite. Por sa u përket avantazheve, programi spanjoll vjen pa një kohë të përcaktuar qëndrimi. Gjithsesi, Spanja takson edhe rezidentët jo tatimpagues, sa u përket të ardhurave nga qiraja e pronave të patundshme që zotërohen në këtë vend. Pra, nëse blihet një pronë për t’u kualifikuar për “Golden Visa” por nuk jetoni aty dhe as nuk e lëshoni me qira, ju do të taksoheni sikur të ishit duke siguruar të ardhura nga qiraja. Spanja lejon natyralizimin pas 10 vitesh qëndrimi. Sigurisht duhet të zotërosh një spanjishte të rrjedhshme për t’u kualifikuar, ndërsa dyshtetësia nuk lejohet për sa kohë që nuk je nga Andorra, Portugalia, apo një nga ish-kolonitë e dikurshme të Spanjës, përfshi këtu Filipinet.

PORTUGALIA – Kushdo mund të kualifikohet për “Golden Visa” në Portugali duke bërë një donacion për kërkim shkencor apo për artin e kulturën portugeze, duke investuar apo ngritur një biznes dhe rrjedhimisht krijuar vende pune, apo duke blerë një pronë të patundshme. Ky opsioni i fudnit është më i lakmuari. Duhet të investosh 350 mijë euro në një pronë që është mbi 30-vjeçare, ose 500 mijë euro për pronat e reja, dhe kualifikohesh menjëherë për rezidencë. Këto shifra mund të reduktohen me 20 për qind, nëse prona zgjidhet në zonat me dendësi të ulët popullate, duke nënkuptuar këtu çdo hapësirë tjetër të vendit përveç bregdetit. Për të ruajtur statusin rezidencial sipas programit “Golden Visa” duhet të kalosh 7 ditë në vend gjatë vitit të parë dhe 14 ditë çdo dy vite më tej. Portugalia ka ulur së fundi kërkesat rezidenciale përpara se të kualifikohesh për të aplikuar për natyralizim, nga 6 vite në 5, duke e bërë më tërheqës këtë program. Por të bëhesh qytetar portugez, duhet të kalosh një testim në portugalisht mbi historinë e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA