Zyra e përmbarimit Kurbin nuk ka mundur të ekzekutojë një vendim gjykate, pasi nuk ka marrë mbështetjen nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Kurbin dhe as nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, për shembjen e një objekti 4 katësh të paligjshëm. Institucionet justifikohen se IMT Kurbin nuk ka mjete dhe IKMT ka plane të paracaktuara, nuk jep datë fikse se kur mund të ekzekutojë vendimin e gjykatës.

Shan Tota ju drejtua emisionit Fiks Fare për ndihmë pasi sipas tij asnjë institucion shtetëror nuk ka vepruar në bazë të ligjit. ” Ka 10 vite që gjykata ka vendosur prishjen e një ndërtese 4 katërshe që është ndërtuar në pronën time, por përmbarimi nuk e prish”, tregon z.Tota.

Sipas tij pronari i ndërtesës së paligjshme është mik i kryetarit të bashkisë dhe kjo është një ndër arsyet se përse bashkia nuk ndërhyn për prishjen e këtij objekti.

Gazetarët e Fiksit ju drejtuan zyrës së përmbarimit Kurbin, për të marrë një përgjigje për mosekzekutimin e vendimit të gjykatës i cili ka marrë titull ekzekutiv që në vitin 2010. Përmbaruesja shpjegoi se e ka të pamundur të bëjë ekzekutimin pa ndërhyrjen e IMT -ës Kurbin dhe IKMT-ës. Ajo tregoi se ka bërë shkresa që në 2017 në IKMT dhe se përgjigjet e kësaj të fundit janë të njëjta, gjithmonë thuhet se janë të angazhuar me plane dhe projekte më të rëndësishme dhe të paracaktuara. E ndërsa IMT Kurbin, thotë se nuk ka mjete.

Ndërkohë IKMT , në kërkesën zyrtare dërguar nga emisioni Fiks Fare se kur mund të ekzekutohet vendimi i gjykatës, kthen po të njëjtën përgjigje. Kjo e fundit sqaron se për shkak të angazhimeve në plane të rëndësishme rregulluese e kanë të pamundur të vendosin një datë fikse se kur mund të mbështesin përmbarimin , por theksojnë se duhet të ndërhyjë IMT Kurbin me ndihmën e bashkisë.

Gazetarët e Fiksit ju drejtuan Bashkisë Kurbin për të pyetur kryetarin e bashkisë mbi lidhjet që denoncuesi pretendon se ka me pronarin e objektit të paligjshëm, por ai në bisedën telefonike që pati me gazetarët e Fiksit mohoi kategorikisht një gjë të tillë.

Kryeinspektori i IMT Kurbin tha për Fiksin se kanë kërkuar ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes për t’ju vënë në dispozicion ekspertë për të bërë shembjen me lëndë plasëse, sipas tij akoma nuk kanë marrë një përgjigje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA