Dorëheqja e kryeministres May, “Brexit” rrezikon të komplikohet edhe më shumë

24/05/2019 14:13

Kryeministrja britanike Theresa May, mes ngashërimit dhe lotëve njoftoi se do të jepte dorëheqjen nga posti i kryeministres dhe drejtueses së Partisë Konservatore në pushtet, në datën 7 qershor.

Ashtu si shumë kryeministra britanik përpara saj, duke filluar nga Margaret Thatcher e John Major, edhe koka e saj ra në gijotinën e çështjes së Europës, aq e debatueshme për këtë parti të qendrës së djathtë. May, në fjalimin drejtuar kombit tha se “kishte bërë më të mirën e mundshme” për miratimin e marrëveshjes së tërheqjes së Britanisë nga Bashkimi Europian, pas referendumit të vitit 2016.

Dorëheqja e Theresa Mayt shënon edhe fillimin e garës për gjetjen e udhëheqësit të ri të konservatorëve, i cili automatikisht është edhe kryeministri i ri britanik. Gara duhet të fillojë më 10 qershor dhe pritet të përfundojë pas disa raundesh votimi, në fund të qershorit.

  E përlotur, kryeministrja britanike jep dorëheqjen

Sipas gjasave dhe sondazheve, në krye të kësaj liste kandidatësh, që shkon në 12, qëndron ish-Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, ndërkohë që gjasat janë që procesi i “Brexit”-it të hyjë në një fazë edhe me më shumë të panjohura, ku një kryeministër më pro “Brexit”-it, ndryshe nga Theresa May, do të çojë në përplasje me udhëheqësit e Bashkimit Europian.

Udhëheqësit e BE-së, që ndjekin me mjaft vëmendje dhe shqetësim zhvillimet politike në Londër, ishin të rrufeshëm në reagimet e tyre, ku theksuan se marrëveshja e arritur deri më tani me Londrën nuk ka gjasa të ndryhsojë, gjë që pritet të shihet.

Në një Parlament pa shumicë, pikëpyetja mbetet nëse kryeministri i ardhshëm do të jetë në gjendje të arrijë sukses, pikërisht aty ku dështoi Theresa May.

Janë rritur spekulimet edhe për zgjedhje të reja të përgjithshme, ndërkohë që Britania do të duhet të dalë nga BE-ja më 31 tetor. Opsionet janë sërish të hapura; dalja pa marrëveshje, një referendum i dytë, apo zgjedhje të përgjitshme. Me Theresa Mayn, “Brexit” dukej i komplikuar, por me një udhëheqës edhe më radikal e më pro “Brexit”-it, çdo negociatë mes Londrës dhe Brukselit do të jetë ekstremisht e komplikuar.

Top Channel