“Udhëtim në tri kohë”; Libri më i fundit i Profesor Adrian Civicit

23/05/2019 15:39

Një libër që të pranishmit qe quajtën një manual për politikanët, diplomatët, intelektualët, studentët apo të gjithë qytetarët që kërkojnë të njohin dhe sintetizojnë mendimin për periudhën e evoluimit të shtetit shqiptar 70 vitet e fundit.

Civici ka shkruar shumë libra, por në vetvete ky nuk është një libër ekonomie.

“Libri ka një natyrë deri diku racionale analitike, nga fillimet e diskutiemve të vendosjes së socializmit, pastaj tranzicionin, e pastaj kapitalizmit”, tha Adrian Civici

Profesor Civici në këtë libër kërkon të shkojë në brendësi të modelit të njeriut të ri. Njeri i cili sipas tij nuk ishte intelektual, por që karakterizohej nga sjellje të përcaktuara nga morali komunist.

“Shpesh ne shtronim pyetjen, pse u prishën në mënyrë aq demosntrative Kishat dhe Xhamitë. U prishën sepse në vetvete ideologjia marksiste-leniniste ishte një fe më vete. Dhe dy fe bashkë nuk mund të ekzistonin”, u shpreh Adrian Civici

Ndërkohë që reflektimet e intelektualëve dhe mendimit shqip për komunizmin sa vjen e po shtohen, libri nga ana tjetër sjell edhe tranzicionin e zgjatur dhe të pambaruar. Debatet dhe analizat për fundin e tranzicionit janë të zbehta. Prandaj edhe profesor Civici e kërkon debatin, sidomos tani që libri është shpërndarë në duart e lexuesve.

“Do të isha i lumtur që këto mendime të bëheshin pjesë e një debati publik, pavarësisht nga opinionit që mund të ketë gjithsecili që shoqëria jonë të ketë një lloj vetëpastrimi”, tha Civici.

“Udhëtim në tri kohë” vjen si një dialog me Alda Bardhylin.

“Shpresoj që ky dialog të jetë një lloj reflektimi, një ftesë edhe për intelektualët, shkencëtarët, por edhe studiuesit për të reflektuar mbi historinë tonë”, u shpreh Alda Bardhyli.

Top Channel