Premier League ruajti edhe këtë sezon statusin e kampionatit më të fortë në planet, duke vendosur titullin dhe objektiva të tjerë në javën finale, ndërsa golat dhe emocionet në vendin ku u shpik futbolli ishin si gjithmonë në lartësinë e duhur.

Por, nëse mes futbollistëve më të vlerësuar në ceremonitë zyrtare spikatën të tjerë, në numrat e atyre që dashurojnë matematikën dhe statistikat bie në sy Anthony Martial.

Sulmuesi francez është finalizuesi më i mirë në kampionatin anglez të futbollit pasi ka një përqindje më të lartë shënimi referuar goditjeve në të gjithë elitën e futbollit ishullor. Në 27 paraqitje me fanelën e Manchester United këtë sezon dhe me gjysmën e kampionatit në polemika me Mourinho, ai shënoi 10 gola në 39 tentativa.

E përkthyer ndryshe, Anthony Martial ka realizuar 25.6% të tentativave të tij. Kjo mjafton për të lënë në vendin e dytë sulmuesin e Liverpulit, Sadio Mane dhe futbollistin e Brighton, Glen Murray, një emër surprizë gjithsesi në shkallën më të ulët të podiumit.

Ndërkohë, mesfushori shqiptar Xherdan Shaqiri, edhe pse vuajti për të bindur trajnerin Klopp që t’i besonte një vend titullari të rregullt, është në vendin e pestë me 23.1% të tentativave të përkthyera në gol.

Top Channel