Delegacioni BE në Tiranë për Top Channel: Reforma në drejtësi duhet të jetë prioritet për çdo politikan shqiptar

22/05/2019 20:13

Presidenti Ilir Meta u shpreh i shqetësuar me argumentin e dhënë për mospjesmarrje nga EURALIUS, misioni i BE për asistencë në reformën në drejtësi, në një tryezë për të zgjidhur problematikën me Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Presidentit Meta, përgjigja e marrë nga zyra e presidencës prej EURALIUS ishte: “Ne në takim nesër, nuk vijmë dot sepse jemi mision teknik”.

Pra, theksoi Presidenti, je mision teknik dhe do të thotë se ke marrë një porosi politike”.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu pyeti Delegacionin e BE në Tiranë se cili ishte qëndrimi i tyre pas deklarimeve të sotme të presidentit Ilir Meta në lidhje me reformën në drejtësi.

Përmes postës elektronike Delegacioni i BE, dha këtë përgjigje.

“Kemi vërejtur kritika për punën e projektit të asistencës teknike të financuar nga BE-ja për sektorin e drejtësisë EURALIUS. Profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar. Ndihma e tyre është provuar e domosdoshme për të çuar përpara agjendën ereformave, duke punuar ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i SHBA-së, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian. Kjo mbështetje është kerkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA-ve u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese”.

Reforma në drejtësi thotë në përgjigjen për Top-Channel Delegacioni i BE, po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës.

“Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë. Sa i përket veçanërisht krijimit të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që është e rëndësishme që sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe Presidencën e Republikës, të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me prioritet. Ne jemi të bindur se një detyrë e tillë do të ndiqet plotësisht dhe në kohën e duhur” thekson delegacioni.

Delegacioni i BE në Tiranë, në fund të përgjigjes së tij thekson:

“Reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. BE-ja do tavazhdojë mbështetjen e saj për procesin e reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA