Qindra e miliona përdorues “smartphone”-sh do të preken nga vendimi i “Google” për të prerë lidhjet e sistemit të tij operativ “Android” me prodhuesin kinez “Huawei”.

Vendimi, që vjen në mesin e një lufte të vërtetë tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, do të thotë që përdoruesit e “Huawei”-t të fillojnë të humbasin qasjen në shërbimet në pronësinë e “Google”, si “Gmail” dhe “Google Maps”, e të përjashtohen nga përditësimet e ardhshme të “Android”-it në telefonët e tyre.

Lëvizja nga gjiganti kalifornian i internetit në frontin e programeve është shoqëruar edhe nga lajmi që prodhuesit amerikanë të “chip”-eve nuk e furnizojnë më “Huawei”-n, duke dëmtuar edhe aspektin “hardware” për telefonët e tij.

“Me telefonin nuk mund të instalosh më aplikacione të reja. Pra, unë tani do të kem një telefon me funksionet e telefonit, por me më pak funksione të një smartphone”, tha Will Riofrio.

“Njerëzit që kanë një telefon Huawei sot preken më pak sesa versionet e ardhshme, sepse mbi ata telefonë në prodhim do të aplikohen kufizimet e reja në total”, tha Aubin de Sousa.

“Huawei” ka shitur rreth 203 milionë telefonë vitin e shkuar dhe 150 milionë në vitin 2017, duke lënë pas “Apple”-n dhe duke kërcënuar madje edhe qenien e “Samsung”-ut në krye të klasifikimeve globale.

Për tremujorin e parë të vitit 2019, para përplasjes me administratën “Trump”, “Huawei” kishte shitur rreth 59 milionë telefonë. Të gjithë këta përdorues rrezikojnë tani të humbasin qasjen te përditësimet e rëndësishme të “Android”-it që do të lëshojë “Google” në të ardhmen, edhe pse për momentin do të vazhdojnë të kenë përditësimet e sigurisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA