Një ditë më parë u përhap lajmi se kandidati i Bindjes Demokratike u tërhoq nga gara për Kryebashkiak të Lezhës në zgjedhjet e 30 qershorit. Ai quhet Salvador Kaçaj dhe është një emër i njohur për shkak të së shkuarës së tij si në botën e sportit, por edhe angazhimit politik në Partinë Demokratike.
Ai ka qenë i ftuar në studion e Top Talk, ku ka dhënë edhe argumentet e tij për këtë lëvizje të papritur.
Gjatë intervistës ai ka mohuar të ketë pasur presion nga Partia Demokratike, apo persona të tjerë për t’u tërhequr, duke shpjeguar se vendimi i tij ka ardhur vetëm pas një testi që ka bërë në Lezhë.
“Është një vendim i marrë pasi bëra një test në Lezhë. Testova si është situata në një rast të mosmarrjes pjesë të PD në zgjedhje. Pashë që ky sistem nuk do të funksionojë, e demokratët e Lezhës nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Do të jetë një votim, apo një pjesëmarrje një partiake, që nuk është e rregullt as moralisht e as politikisht. Jam mësuar të bëj gjithmonë gara reale, për mendimin tim kjo është një garë farsë”, tha Salvador Kaçaj.
Më tej ai shton, se është propozuar nga Patozi dhe e pranoi, por pas konsultimeve kuptoi se do të jetë një garë farsë.
Por Kaçaj shton se ka qenë edhe në planet e Partisë Demokratike që ai të ishte një kandidat, duke u propozuar në muajin tetor bashkë me të tjerë nga baza si kandidat potencial për Bashkinë Lezhë.
Top Channel