Sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, reagoi menjëherë pas denoncimit të Top Channel se çmimi i ilaçit të quajtur Soludamin, është manipuluar. Policia hetoi gjeti prova dhe ju drejtua prokurorisë.
Top Channel mëson se grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe administratorin e CFO Farma Nadir Çausholli i cili gjithë mashtrimin me qindra milionë lekë e ka justifikuar me një gabim njerëzor në vendosjen e pullave të çmimit.
Kujtojmë se ilaçi soludaim që duhet të shitet vetëm 74 lekë, kompania i vendoste çmimin 1300 lekë.
Pjesë e hetimit kanë qenë edhe katër farmaci, tre nga të cilat ishin furnizuar me Soludamin nga CFO Pharma. Nga kontrolli i kryer nga krimi ekonomik, rezulton se çmimi fillestar me të cilin ishte blerë ky ilaç (medikament) ishte 1085 lekë të reja.
Top Channel ka mësuar se lidhur me këtë çështje, oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje administratorin e CFO Pharma. Ai cili ka justifikuar shkeljen e kompanisë së tij me një gabim njerëzor, dhe se pullat janë vendosur gabimisht nga punonjësi që bën vendosjen e tyre mbi kuti, por ndërkohë ne faktuam që në farmacitë e vendit, ilaçi me pullën gabim po shitet me çmimin 1300, dhe nga ky gabim kompania e Nadir Çaushollit ka përfituar fitime 180 herë më të larta të gjitha në kurriz të pacientëve.
Policia ka pyetur vetë disa nga farmacistët të cilët shisnin ilaçin me çmimin e larte dhe ata treguan edhe kontratat e blerjes me ate cmim nga CFO Farma. Në pyetje është marrë edhe një specialist pranë Agjensisë së Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, i cili ka thënë se seria në kutitë e medikamentit Soludamin, nuk përputhet me serinë e pullës të lëshuar nga Agjensia e Barnave që do të thotë se kompania ka falsifikuar një dokument shtetëror.
Prokurorët e Tiranës kanë në dorë mjaft prova dhe fakte që tregojnë se si kompania CFO Farma ka shkelur ligjin duke shitur me çmim 180 herë më shumë ilaçin për të sëmurët me veshka. Sektori i krimit ekonomik në policinë e shtetit ka referuar në prokurori çështjen për dy vepra penale. E para është manipulimi i tregut dhe sipas nenit 144 pika a e kodit penal, fajtorët dënohen me gjobë deri me katër vite burg. Vepra e dytë penale e referuar është ajo për falsifikimin e dokumentave shtetërore në këtë rast etiketat e ilaçit Soludamin dhe që parashikon një dënim me gjobë deri në 5 vite burg.
Ky hetim nuk do kishte nisur pa investigimin e gazetarëve të Top Channel të cilët zbuluan se si një kompani mashtronte me çmimin e ilaçeve duke zhvatur klientët e saj.
Top Channel