Autori i vrasjes së 51 personave në sulmet ndaj xhamive në Christchurch të Zelandës së Re është akuzuar zyrtarisht për krime terrorizmi këtë të martë. Brenton Tarrant, sipas deklaratës së policisë të publikuar ditën e sotme, është akuzuar për “përfshirje në akte terrorizmi”.
Veç kësaj, ai përballet edhe me akuza për vrasje dhe 40 akuza për tentativë vrasjeje, pas sulmeve të kryera ndaj dy xhamive më 15 mars të këtij viti, në qytezën e ishullit jugor të Zelandës. Dalja e ardhshme e australianit në gjykatë pritet të bëhet në qershor.
Ajo çfarë shqetëson tashmë në Zelandën e Re është pikërisht trajtimi i kësaj çështjeje sipas ligjeve mbi terrorizmin, pasi siç thonë disa, mund të tejzgjasë gjykimin dhe madje të ofrojë edhe një “platformë” për shprehjen e pikëpamjeve ekstremiste.
Sulmi i para dy muajve në Zelandën e Re ishte një nga vrasjet masive më vdekjeprurëse, gjë që detyroi shumë shpejt deputetët të votonin për ndalimin e armëve ushtarake gjysmëautomatike në vend, në mënyrë që të shmangej një ngjarje e tillë në të ardhmen.
I dyshuari ishte shfaqur për herë të fundit përpara gjykatësve në muajin prill, përmes një videokonference dhe jo i pranishëm, kohë gjatë së cilës një gjykatës urdhëroi që ai t’u nënshtrohej testeve për shëndetin mendor.
I vetëshpalluri supremacist i bardhë dokumentoi gjithçka, që nga letrat e shkruara në shtëpi e deri te transmetimi drejtpërdrejt në Facebook i ngjarjes, ndërsa tashmë nuk i është ofruar mundësia që të pranojë fajësinë dhe të përfitojë nga i ashtuquajturi “gjykim i shkurtuar”. Ai akuzohet se ka qëlluar burra, gra dhe fëmijë, teksa ishin duke u falur në xhaminë “Al Noor” dhe Qëndrën Islamike “Linwood” të Christchurchit.
Top Channel