Çdo pushues në Greqi i njeh ato Kaikia: Barka druri shumëngjyrëshe nëpër porte. Imazhe të tilla janë komponente e pandashme e fotografive turistike dhe kartolinave nga Greqia. Këto barka janë një pasqyrë e një tradite mijëravjeçare në Greqi. Peshkarexhat “Kaikia” i përkasin kulturës në Greqi njësoj si djathi i dhisë dhe rembetikotë.
Por këto barka tani rrezikohen të asgjësohen. BE-ja duke dashur të ndalë peshkimin pa kriter u premton peshkatarëve shpërblim në Euro për çdo peshkarexhe të nxjerrë nga përdorimi. Rreth 6000 deri në 200.000 Euro në varësi të madhësisë së anijes.
Një direktivë kjo e viteve 90-të, që qeveria greke po e aktivizon tani. Mbi 43 milionë Euro ka paguar BE-ja për Greqinë. Ndërkohë janë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme mbi 10.000 peshkarexha.
Peshkatarët protestojnë
Dimitris Morakis është konstruktor barkash, i fundit që ka mbetur në ishullin Hios. Barkat, që ai i ka ndërtuar prej vitesh për peshkatarët, tani i duhet që t’i asgjësojë. Në rast të kundërt ata nuk marrin para. Ai e konsideron këtë një barbari të mirëfilltë. „Më vjen ndërmend e gjithë energjia që kam konsumuar për konstruktimin e tyre, vite të tëra punë dhe tani unë duhet t’i shkatërroj ato. Më ther në zemër. Problemi i thelbësor është që peshkatarët do të vihen në një situatë të tmerrshme.”
Adonis Kastanias menaxahon një restorant peshku. Vitin e kaluar atij iu desh me dhimbje të heqë dorë prej Kaikit të tij. Taksat për anijet rriten gjithnjë e më shumë, sasia e peshkut që zihet në det pakësohet gjithnjë e më shumë. Sidoqoftë ai mori 10.000 Euro për peshkarexhën e tij. Por ndërkohë peshkun për restorantin i duhet ta blejë diku tjetër. Dhe barka i mungon shumë: „Ishte e vështirë, në fakt unë nuk desha ta shkatërroj barkën. Madje do të kisha paguar vetëm që të mund ta mbaja atë për vete ose ta përdorja për turistë. Por Ministria e Bujqësisë nuk pranoi. Nuk pata asnjë shans.”
Rezervat e peshkut në Mesdhe janë konsumuar, por për këtë nuk e kanë fajin peshkarexhat e vogla prej druri. Në vend që të verë nën kontroll trafikimin e tragetëve gjigantë e anijeve të mëdha të peshkimit për të ruajtur faunën e Mesdheut, Brukseli ka vendosur të shpërblejë peshkatarët e vegjël për të ndaluar peshkimin me barkat e tyre prej druri.
Ruajtja si trashëgimi kulturore
Qeveria greke do në fakt që t’i përdorë ato për ekskursione për turistët. Por kjo nuk ia vlen për peshkatarët. Nikos Antonoglou, sekretar shteti pranë Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit dhe Ushqimit thotë: “Ne duam të shpëtojmë barkat tradicionale prej druri. Por për këtë duhet të ndryshojnë direktivat e BE-së. Për përdorim turistik jepen fare pak para. Por në fakt nxitjet financiare duhet të jenë të njëjta si edhe për asgjësimin e peshkarexhave.”
Në ishullin Samos po hapet një muze për Kaikia-t. Ministria e Kulturës ka shpëtuar njëzet barka të vjetra. Të gjitha ato janë konstruktuar në mënyrë të veçantë krejtësisht me punë dore.
Kostas Damianides, është arkitekt dhe ekspert për anije të vjetra. Ai lufton per secilën prej këtyre peshkarexhave. Gjithnjë e më shumë njerëz, edhe në qeveri, duan që Kaikiat tradicionale të ruhen si “objekte të rrezikuara kulturore”: “Eshtë e rëndësishme që të ruhen të tilla objekte, bëhet fjalë për prejardhjen tonë dhe kulturën tonë në të kaluarën. Ndërtimi tradicional i barkave është themeltar për kulturën tonë. Ne duhet të shohim se si ta mbajmë në jetë këtë dije,ta bëjmë atë tërheqëse për të rinjtë në të ardhmen.”
Dimitris Morakis dijen e tij ndërkohë e transmeton tek të rinjtë dhe të rriturit në kurset për kontruksion barkash. Në fakt ai kërkon një praktikant të ri. Ai nuk do ta pranojë që kjo traditë të humbasë. Nuk do që nga vepra e jetës së tij të mbeten vetëm rrënoja. Ndaj ai ka bërë një truk të vogël: Kaikian e tij e ka nxjerrë jashtë funksionit, por pa e shkatërruar atë tërësisht. „I kam copëtuar Kaikiat në tri pjesë, por ato janë të plota. Një konstruktor i mirë barkash mund t’i montojë ato sërish. Ndoshta vijnë një ditë të rinj, ku i dihet.”
Por pa një të ardhme për Kaikiat ky zanat nuk ka perspektivë. Konstruktuesit e barkave dhe peshkatarët kërkojnë, që qeveria e tyre të negociojë sërish me BE-në. Në mënyrë që të ruhet një copëz Greqi. Nëse jo barka peshkimi prej druri, atëherë të paktën për turistët./DW
Top Channel