Tek Pallati i Kongreseve po zhvillohet ceremonia që FRONTEX, Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, do të nisë operacionin e saj të parë të përbashkët në Shqipëri duke shënuar një fazë të re për bashkëpunimin kufitar midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në fjalën e tij u shpreh se operacioni me FRONTEX do të forcojë sigurinë në kufi për ndalimin e emigrantëve që synojnë të përdorin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e BE-së
Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj
Që kur u krijua, përpara 107 vjetësh, shteti ynë lindi si një projekt shqiptar por dhe europian. Me gjithë turbulencat e jashtëzakonshme historike, qasja proeuropiane e shqiptarëve ka mbetur e paprekur, si një ndër karakteristikat e tyre më tipike.
Edhe marrëveshja, e cila sot fillon të zbatohet në terren është po aq tipike. Ajo është e para e këtij lloji që BE nënshkruan me një vend jo anëtar.
Fillimi i zbatimit të marrëveshjes sot, në prag të vendimmarrjes së rëndësishme të BE për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, i jep asaj një domethënie të krejt veçantë.
Marrëveshja statusore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, që u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj të veçantë më datë 7.2.2019, hyri në fuqi më 1 maj 2019 dhe sot fillon zbatimin në terren nëpërmjet operacionit të përbashkët.
Fillimi i operacionit mes Agjencisë Europiane për Kufirin dhe Rojën Bregdetare dhe Policisë së Shtetit shënon një moment shumë të rëndësishëm edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Operacioni ka për qëllim primar rritjen e sigurisë së kufijve tanë, por ai kontribuon në të njëjtën mënyrë edhe në zgjerimin e lirisë së lëvizjes së ligjshme përmes tyre. Dhe kështu duhet të jetë.
Çdo investim për më shumë siguri duhet të prodhojë edhe më shumë liri dhe liria e lëvizjes mbetet një ndër arritjet më të mëdha, e cila duhet mirëmbajtur me përkushtim të përditshëm, si ky që po fillojmë sot.
Angazhimi në fazën e parë të operacionit, 22 maj – 19 qershor, i një numri të konsiderueshëm të personelit dhe të teknikës speciale, nga 11 vende anëtare të BE, shpreh rëndësinë e madhe që i kushtohet atij.
Rojet e kufirit nga vendet e BE do të patrullojnë së bashku me rojet tona kufitare, për të arritur një nivel më të lartë të kontrollit të kufirit në të gjithë elementët e tij.
Personeli i shtuar, i mbështetur nga teknikë moderne do të ndihmojnë për vendosjen e standardeve të reja si në kontrollin e kufirit të gjelbër, ashtu dhe në funksionimin e pikave të kalimit kufitar.
Zonja dhe zotërinj,
Ndoshta kufijtë mund të jenë elementi që e simbolizon më së miri dinamikën e jashtëzakonshme të ndryshimeve të Shqipërisë.
Nëse dikur, këta kufij ishin mure të pakalueshme ndarjeje dhe izolimi të vendit, tashmë ata po shndërrohen në ura të një komunikimi përherë e më intensiv.
Kurba e rritjes së numrit të personave që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e vendit vijon të njohë një tendencë të pandalur rritjeje.
Në harkun e 10 viteve të fundit, numri personave që kanë lëvizur nëpër pikat tona kufitare është rritur nga 9 milionë në vitin 2008 në 23 milionë në fundin e vitit 2018. Kjo rritje vijon të njëjtën tendencë dhe gjatë këtij viti. Por përveç flukseve përherë në rritje të udhëtarëve të rregullt, ku dominojnë turistët, është shënuar edhe një rritje e numrit të migrantëve të parregullt të cilët kanë tentuar të përdorin Shqipërinë si vend transiti në përpjekjen e tyre drejt vendeve të tjera europiane.
Në vitin 2018 ky numër u rrit me disa herë në krahasim me vitin 2017, ndërkohë që edhe gjatë këtij viti fenomeni ka vijuar të mbetet prezent.
Nëpërmjet operacionit të përbashkët me FRONTEX ne synojmë të adresojmë shumë herë më mirë çështjet e migracionit të parregullt drejt Shqipërisë. Por në të njëjtën kohë, përmes këtij operacioni ne besojmë se do të përforcojmë kapacitetet tona në luftën kundër krimit ndërkufitar, do të rrisim bashkëpunimin me FRONTEX dhe me vendet anëtare të BE, të cilat marrin pjesë në operacion, dhe, mbi të gjitha, do të rrisim nivelin e besimit reciprok mes Policisë shqiptare dhe strukturave homologe europiane.
Policia shqiptare është një ndër më të voglat në rajon dhe më gjerë. Ne kemi rreth 320 punonjës policie për 100 mijë banorë, shifër kjo dukshëm më e ulët në krahasim me shumë vende fqinje apo edhe anëtare të BE.
Operacioni i përbashkët i FRONTEX kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në edhe për njëfarë kompensimi të kapaciteteve të limituara të Policisë së Shtetit.
Ky model bashkëpunimi operacional mendoj se mund të shërbejë edhe si një përvojë e mirë për të testuar mundësitë e zgjerimit të tij edhe në fusha të tjera, ku prioritare mbetet lufta kundër krimit të organizuar.
Aktivizimi i ekipeve të përbashkëta të hetimit me kompetenca ekzekutive, edhe në fushën e krimit të organizuar, të ngjashme me këto që nisin sot veprimtarinë e tyre mbetet një opsion që meriton vlerësim nga të gjitha palët.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit mbeten të angazhuara për të dhënë të gjithë mbështetjen për suksesin e plotë të operacionit, që nisim sot së bashku me FRONTEX, si dhe të interesuara për zgjerimin e mëtejshëm të fushave të bashkëpunimit operacional me vendet partnere të BE, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar.
Në përfundim, më lejoni të përshëndes dhe të falënderoj Komisionin Europian, posaçërisht Komisionerin Avramopoulos për mundësimin e këtij bashkëpunimi të pa precedent, të gjitha vendet pjesëmarrëse për mbështetjen e operacionit dhe natyrisht FRONTEX e Policinë Shqiptare për organizmin, koordinimin dhe drejtimin e këtij operacioni që fillon sot dhe për suksesin e të cilit nuk mund të ketë kurrëfarë dyshimi.
Faleminderit!
Top Channel