Bota e automobilizmit ka një kampion më pak në gjirin e saj! Në moshën 70-vjeçare është ndarë nga jeta tri herë kampioni i Formulës 1, Niki Lauda.

Piloti austriak, një prej më të njohurve të garave të shpejtësisë, është shpallur kampion si me Ferrarin, ashtu dhe me McLarenin, teksa me “kokëkuqen” ka triumfuar në vitet 1975 dhe 77, ndërsa në 1984-n ngriti trofeun me skuderinë britanike.

  Ndahet nga jeta Niki Lauda, legjenda e Formula 1

Për shumëkënd, ai do të mbahet mend për rikuperimin e befasishëm dhe rikthimin në garat e automobilizmit, pasi ishte “përvëluar” gjatë përplasjes së vitit 1976 në Çmimin e Madh të Gjermanisë.

Lauda, i cili i ishte nënshtruar një transplanti mushkërish gjatë gushtit të vitit të kaluar, “ndërroi jetë paqësisht” gjatë së hënës, njoftoi familja e tij.

Edhe pas përfundimit të karrierës si pilot, ai nuk u nda dot nga bota e automobilizmit dhe, pas një periudhe si sipërmarrës kompanie ajrore, u bë drejtues pa të drejta ekzekutive i skuderisë së Formulës 1, Mercedes.

Ishte pikërisht Niki Lauda, ai që dha kontributin e tij për të sjellë te “shigjetat e argjendta” britanikun Lewis Hamilton, i cili prej atëherë ka fituar 5 tituj kampion botërorë.

Ndërkohë, britaniku Jenson Button që fitoi edhe një titull kampion bote e ka quajtur atë “legjendë”, ndërsa skuderia e “McLaren”-it ka kërkuar që ai të “përjetësohet” në historinë e Formulës 1.

Më 1 gusht të vitit 1976, vetëm një vit pasi ishte shpallur kampion, ai pësoi djegie të gradës së tretë në kokë dhe fytyrë, ndërkohë që gazrat toksikë i dëmtuan mushkëritë pasi njëvendëshja e tij shpërtheu në flakë në pistën e Nurburgringut. Atij iu bënë edhe nderimet e fundit në spital, por si një mrekulli e Zotit, ai u rikuperua dhe u rikthye në gara vetëm 40 ditë më vonë.

Gjatë karrierës së tij si pilot, Lauda ka pasur rivalitet të spikatur me pilotin britanik, James Hunt, kampion i vitit 1976, gjë për të cilën është bërë edhe filmi i famshëm “Rush” në vitin 2013.

Top Channel