Në kuadër të krijimit të një zone ekonomike të përbashkët në rajon, Shqipëria dhe Kosova po vijojnë të punojnë për të përafruar legjislacionin mes tyre por edhe me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve u zhvillua sot takimi i dytë koordinues i ministrive përgjegjëse të Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me marrëveshjet e nënshkruara me datë 26 nëntor 2018.
Në fjalën e mbajtur me këtë rats, zv.kryeministri Erion Braçe tha se “kur kanë kaluar 5 vite nga mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive në Prizren, ku u nënshkrua dokumenti bazë i partneritetit strategjik, ne kemi kaluar nga përafrimi i legjislacionit mes dy vendeve tona dhe me BE-në, në zbatimin e qartë të marrëveshjeve të arritura”.
“Puna jonë dhe sfidat kryesore janë në 4 fusha të mëdha: tregu, shërbimet dhe lëvizshmëria, siguria, kultura dhe diaspora dhe aksioni diplomatik dhe bashkëpunimi politik”, tha Braçe.
Përsa i takon tregut, shërbimeve dhe lëvizshmërisë, Braçe tha se “me Kosovën, ashtu sikundër dhe me 4 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, po punojmë për krijimin e një zone ekonomike të përbashkët në rajon, ku legjislacioni i vendeve tona lehtëson tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, por në të njëjtën kohë është i përafruar dhe me legjislacionin e BE-së”.
Në këtë drejtim, Braçe veçoi marrëveshjen rajonale të nënshkruar në mars 2019 për roaming, e cila do të ketë efekte reale në tarfiat telefonike duke filluar nga 1 korrik 2019.
“Po ashtu vetëm në rrafshin dypalësh me Kosovën ne kemi një marrëveshje për lehtësimin e tarifave roaming. Përputhshmëria mes këtyre dy marrëveshjeve do të diskutohet edhe sot nga ministrat respektivë të institucioneve të linjës”, tha Braçe.
Një tjetër dokument që do të diskutohet në mbledhjen e sotme, sipas Braçes, “është edhe protokolli për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë, i nënshkruar në 20 nëntor 2018, në Pejë”.
“Pika doganore e Kosovës në Portin e Durrësit ka qenë një ambicie e hershme e dy qeverive tona dhe sot autoritetet e dy vendeve do të prezantojnë arritjet dhe hapat e mëtejshme”, tha Braçe.
Ndër marrëveshjet e mbledhjes së parë të përbashkët në vitin 2014, sipas zv/kryeministrit Braçe ishte edhe marrëveshja kuadër për lehtësimin e tregtisë, ku protokolli zbatues parashikon krijimin e 3 grupeve të përbashkëta të punës. Sot, tha ai, drejtuesit e tre grupeve të punës të pranishëm do të raportojnë për prioritetet deri në mbledhjen e ardhshme.
“Me Kosovën, ashtu sikundër edhe me 4 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, nga viti 2017, ne po punojmë drejt krijimit të një zone ekonomike të përbashkët në rajon, ku legjislacioni i vendeve tona lehtëson tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, por në të njëjtën kohë legjislacioni është i përafruar me BE-në”, tha Braçe.
Në funksion të hapjes së tregjeve tona, Braçe nënvizoi se “kemi punuara në muajt e fundit për heqjen e pengesave të kalimit kufitar, por kjo ka një aspekt të rëndësishëm sigurie sa kombëtare aq edhe rajonale e europiane. “Menaxhimi i kufijve është çështje komplekse, gati-gati sfidë më vete, por me koordinim mes nesh sfida bëhet gjithmonë e më e menaxhueshme”, tha ai.
Njohja e ndërsjelltë e patentave është një tjetër angazhim që dy qeveritë kanë marrë për hyrjen në fuqi të së cilës do të diskutojnë autoritetet përkatëse.
Top Channel