Kampionati spanjoll i futbollit u mbyll pasditen e sotme, me ndeshjen mes Eibarit dhe Barcelonës, që ishte e fundit e javës së 38.

Kjo ishte një përballje mes dy skuadrave që nuk kishin më asnjë pretendim dhe që u mbyll në barazimin 2-2.

Të parët që shënuan ishin vendasit e Eibar, që zhbllokuan sfidën në minutën e 20 me anë të Cucurellas, ndërsa reagimi i Barcelonës ishte i menjëhershëm, me kapitenin Lionel Messi që përmbysi gjithçka me dy gola në minutat 31’ dhe 32’.

Megjithatë, rezultati u vulos në fundin e pjesës së parë, kur Eibari barazoi me anë të De Blasis, ndërsa 45-minutëshi i dytë nuk prodhoi asgjë për t’u shënuar.

Mbyllet kështu një tjetër sezon nën dominimin e Barcelonës, që fitoi titullin për herë të dytë radhazi, ndërsa Lionel Messi, me dopietën e sotme, thelloi distancën në renditjen e golashënuesve me plot 36 rrjeta sezonale.

Top Channel