Me një spot të ri televiziv, Ministria e Brendshme e Greqisë fton të gjithë qytetarët e saj të marrin pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Europian, si dhe në zgjedhjet e administratës lokale që zhvillohen më 26 maj.
“Kemi paralelisht 4 zgjedhje.E kam fjalën për zgjedhjet për Parlamentin Europian, ato për guvernatorët rajonalë, zgjedhjet bashkiake dhe për herë të parë edhe ato për komunat. Do të kemi pra 4 kuti votimi në të gjithë vendin”, tha Alexis Haritsis, ministër i Brendshëm.
Gjithashtu jepen udhëzime për qendrat dhe mënyrën e votimit, për 21 deputetë që zgjedh Greqia në PE dhe për votat për guvernatorët e kryebashkiakët. Për herë të parë në historinë e Greqisë votojnë edhe 17-vjeçarët.
Atmosfera politike ka kohë që është ndezur dhe me anë të spoteve të ndryshme, sidomos partitë e mëdha “Syriza” dhe “Demokracia e Re” kërkojnë mbështetjen e grekëve.
“E akuzojmë se do të kthejë vendin në periudhën e memorandumeve të ndihmës nga kreditorët e huaj dhe FMN-së në vitin 2014, kurse ai ka një plan edhe më madhështor, ta kthejë vendin në shekullin e XVIII, në kushtet e punëtorëve të Mesjetës”, tha Alexis Tsipras, kryeministër.
Kryeministri Tsipras akuzon konservatorët se në programin e tyre elektoral kërkojnë përsëri reduktim pensionesh e pagash, ndryshimin e të drejtave të punëtorëve me vendosjen e orareve elastike të punës në 7 ditët e javës, duke mos respektuar tetorëshin, hyrjen e investitorëve privatë në sektorë të rëndësishëm shtetërorë si shëndetësia dhe arsimi.
“Duam të reduktojmë taksat, të krijojme vende më të mira pune, të risjellim rreth nesh ndjesinë e sigurisë. Votojmë për të ardhmen tonë”, tha Kyriakos Mitsotakis, kreu i “Demokracisë së Re”.
Nga ana tjetër, Kyriakos Mitsotakis i Demokracisë së re kritikon qeverinë e sotme se përpiqet me anë të ndihmave sociale të gënjejë grekët, ndërsa premton reforma të fuqishme për investime të mëdha në vend.
Top Channel