Pas skandalit të korrupsionit që detyroi dorëheqjen e zv.kancelarit austriak, Heinz-Christian Strache, Kancelari i Austrisë, Sebastrian Kurz vendosi të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Partia Popullore e qendrës së djathtë, e Kurzit, bashkëqeveris me “Partinë e Lirisë” së ekstremit të djathtë të Straches, i cili dha dorëheqjen pikërisht pas publikimit të nëj videoje sekrete, në të cilën ai shihet teksa diskuton kontratat qeveritare me një investitor të pretenduar rus.
Strache fajësoi veten e tij nën efektin e alkoolit, siç tha, teksa i quajti veprimet e tij si prej “adoleshenti”, madje edhe “idiote” dhe “të papërgjegjshme”. Ndaj kishte vendosur të jepte dorëheqjen, në mënyrë që të mos dëmtonte më shumë qeverinë.
“I kam sugjeruar Presidentit të Republikës mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në datën më të afërt të mundshme – tha Kurz. – Pas videos së djeshme, mund ta them me qetësi dhe ndershmëri: kaq është mjaftueshëm”.
“Ana më serioze e kësaj videoje ishte sjellja në drejtim të abuzimit me pushtetin, apo menaxhimit të parave të taksapaguesve, sikurse edhe abuzimit me mediet në këtë vend”, tha Kurz, i cili shtoi se personalisht ndihej i fyer nga ato pamje.
Premtoi tendera për oligarkët rusë, largohet zv/kancelari Austriak
Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen ishte shprehur gjithashtu se zgjedhjet e parakohshme ishin të nevojshme pas dorëheqjes së Straches. Për këtë, ai kishte folur me Kurzin, ndërkohë që hapat e mëtejshëm do t’i diskutojnë gjatë së dielës.
Ndërkohë, një turmë mijëra njerëzish me pankarta e parulla në duar u mblodhën në sheshin jashtë zyrës së Kurzit, duke thirrur në kor “zgjedhje të parakohshme tani!”.
Kurz është përpjekur ta distancojë veten nga skandalet e mëparshme që kanë rrethuar Partinë e Lirisë, shumica e të cilave kanë përfshirë zyrtarë të partisë në skandale antisemitizmi apo racizmi, por kundërshtarët politikë të tij i kërkuan të vepronte pas zbulimeve më të fundit.
“Kjo është veçse maja e ajsbergut”, tha Thomas Drozda, nga socialdemokratët në opozitë, për rrjetin kombëtar “ORF”. “Pres nga Kancelari, i cili siç duket ka pasur dijeni mbi këtë video në 48 orët e fundit dhe se partneri i tij i koalicionit po përfshihej në një skandal të ndyrë korrupsioni, të flasë hapur dhe të shpjegojë pozicionin e tij”.
Kurz, gjithsesi, tha se kjo nuk është hera e parë që ka pasur probleme me partnerin qeveritar. “Edhe pse nuk jam shprehur publikisht në kohën e duhur, ka pasur shumë situata në të cilat jam ndierë në vështirësi, aq sa nuk i kapërdija dot”, tha ai.
Top Channel