Gjirokastër/ Manastiri që mbledh turistët në malin e Lunxherisë

17/05/2019 12:28

Në Gjirokastër turizmi po i nxjerr vizitorët jashtë qytetit për të zgjatur kohë-qëndrimin e për të njohur monumente unike të trashëgimisë kulturës dhe artit mesjetar.

Mes ngjarjeve që po shoqërojnë çeljen e sezonit turistik Manastiri i Spilesë në faqen e malit të Lunxherisë po promovohet si një destinacion kryesor për vizitorët e aventurës dhe të apasionuarit pas historisë dhe natyrës. Gentiana Lili eksperte e turizmit në bashki tha se destinacione si Spileja janë me rëndësi madhore për të gjithë vendin jo vetëm për Gjirokastrën. Turizmi mund të ndihmojë sipas saj në promovimin dhe mbrojtjen e monumentit mesjetar që po shkon drejt degradimit.

‘Operatorët që e kanë përfshirë Spilenë në itinerarët e tyre për 2019 duken të kënaqur me interesin. Manastiri që strehoi murgj ortodoksë deri pas Luftës së Dytë Botërore është një mundësi edhe për vizitorët shqiptarë”, thotë Andrea Kazaku operator lokal.

Manastiri i Spilesë daton që prej vitit 1634. Naosi i gdhendur në formë kryqi është pikturuar nga piktor Mihali në kohën e peshkopit, Kalist.

Objekti që ende mahnit vizitorët spontanë më gjallërinë e ngjyrave të afreskëve dhe stilin rebel të pikturës murale rrezikon qëndrueshmërinë e strukturës ndërsa afresket po shkatërrohen si pasojë e lagështisë.

Vetë manastiri i Spilesë ngrihet shumë pranë kishës mbi një shkëmb konglomerat gëlqeror. Brenda shpellave karstike dikur sipas historisë kanë banuar eremitët, murgj që qëndronin të izoluar nga bota, për të vuajtur qenien e tyre mëkatare. Në qarkun e Gjirokastrës ka mbi 100 kisha të të njëjtës epokë, 32 prej të cilave klasifikohen si tepër të rëndësishme për vlerat tipologjike dhe arkitektonike.

Top Channel