“Shkarkohet zoti Arben Pasho”. Ky ishte vendimi i KPK-së për prokurorin e Gjirokastrës, ndërkohë që një tjetër prokuror nuk pati të njëjtin fat. Prokurori i Tropojës, Artan Shtrunza u konfirmua në detyrë me shumicë votash.
Por, a ndikon vetting-u në përditshmërinë e njerëzve të drejtësisë që presin në radhë për procesin e trefishtë të rivlerësimit? Prokuroria e Krimeve të Rënda mendon që po dhe këtë gjë e nënvizon në raportin vjetor të vitit 2018, pikërisht për vitin kur edhe nisi sitja e madhe.
“Megjithëse e pajustifikuar, konstatojmë se tek prokurorë dhe oficerë të caktuar janë evidentuar luhatje të angazhimit dhe vullnetit në punë si rezultat i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve paketë të reformës në drejtësi, ku parashikohet dhe ndryshimi i funksionimit të Prokurorisë Për Krime të Rënda. Pritja për implementimin përfundimtar ka ndikuar në lidhje me pasigurinë e përfshirjes në të ardhmen në struktura të prokurorëve dhe policisë gjyqësore, një ndikim i cili ka ulur vullnetin dhe eficencën në shpejtësinë e hetimeve”, thotë Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Por, në kushtet kur kanë kaluar në sitat e vetting-ut 110 prokurorë e gjyqtarë, Prokuroria e Përgjithshme jep apelin në një tjetër raport që i përket të njëjtit vit: “Në këtë kuadër, shkarkimi nga detyra i rreth 50% të prokurorëve në procesin e rivlerësimit kalimtar, na obligon institucionalisht që në kuadrin e bashkëpunimit me KLP dhe Shkollën e Magjistraturës të merren masat e duhura për të planifikuar në kohë zëvendësimin e tyre me magjistratë/prokurorë sipas ligjit, me synim për të shmangur rritjen progresive të numrit organik të prokurorëve që i mungojnë sistemit të prokurorisë në të tre nivelet pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm”.
Në këto kushte, kur drejtësia po boshatiset, Shkolla e Magjistraturës deklaron se ka trefishuar kuotat për këdo që synon të bëjë pjesë mes njerëzve të drejtësisë së ardhshme.
Top Channel