Usain Bolt pasi pa t’i sfumohej ëndrra për t’u bërë futbollist pas tërheqjes nga garat e atletikës, rekordmeni botëror vendosi të bëhet pjesë e një bote krejt tjetër teksa bëri të ditur krijimin e markës së tij të motorëve elektrikë Scooter, Bolt Mobility, prezantimin e së cilës e bëri në një ceremoni të zhvilluar në Paris.

Motorët elektrikë scooter së fundmi janë bërë shumë popullorë në kryeqytetin francez pasi janë shumë të manovrueshëm në trafik, por ka nga ata që i kritikojnë pasi konsiderohen si të zhurmshëm dhe të rrezikshëm. Bolt vendosi të hyjë në këtë treg me markën e tij Bolt Mobility.

Ikona e atletikës botërore deklaroi se me trafikun që është në të gjithë rrugët e botës, përfshi Parisin, motorët elektrikë scooter janë një ndihmë e madhe për të qarkulluar.

Në ditët në vazhdim, në rrugë do të shfaqen rreth 450 Scooter elektrikë që do të kenë në të emrin e Usain Bolt.

“Bolt Mobility” e bëri hyrjen në tregun francez të motorëve elektrikë Scooter në një kohë delikate për Parisin, pasi autoritetet kanë bërë disa paralajmërime për operatorët e këtyre lloj motorëve duke dhe i kërcënuar me ndalim të daljes në qarkullim.

Por Bolt duket se nuk është i shqetësuar, me xhamajkanin që deklaroi se marka e tij po bashkëpunon me autoritetet në kryeqytetin francez.

Top Channel