Në Teatrin “Bylis” të Fierit vazhdojnë shfaqjet e 11 trupave më të mira teatrore nga i gjithë vendi.
Projekti i titulluar “Për teatrin”, së bashku me Koncertin Simfonik në kuadër të ditës së Europës dhe ekspozitat e pikturës nga piktorët më në zë, janë 3 kolonat kryesore të projektit të madh “Tournee”, me pjesëmarrjen e artistëve nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi.
“Secili nga këta partnerë ka aktivitetet e tij, të cilat i xhiron pastaj në këtë rreth teatror. Shfaqjet tona do të shkojnë në Tiranë, në Budva dhe në Barletta”, tha Agron Xoxa, drejtor i artit dhe kulturës.
Artitët fierakë e cilësojnë këtë një ngjarje kulturore të shumëpritur në qytet.
“Një qytet pa teatër nuk ka vlera. Këtu ekziston një varfëri nga aktorët dhe regjisorët, përkohësisht mendoj unë. Kjo i jep ‘zjarr’ qytetit. Të paktën ata njerëz që punojnë rrugëve vijnë argëtohen dy orë dhe edukohen njëkohësisht”, tha Vasil Vaso, aktor humori në pension i Estradës së Fierit.
Për dy javë, në sallën e Teatrit “Bylis” janë vënë në skenë drama dhe komedi, si “Terror”, “Darka e lamtumirës”, “Kopraci”, etj.. Është zhvilluar po ashtu një koncert me rreth 180 instrumentistë dhe solistë të muzikës klasike nga Kosova, Greqia dhe Shqipëria, “Triptik për paqen”, ndërsa në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica” janë çelur disa ekspozita, nga piktorë të njohur shqiptarë dhe të huaj.
Top Channel