Pakësimi i numrit të nxënësve në shkolla, sipas sociologut Zyhdi Dervishi është pjesë e tragjedisë së madhe të braktisjes së Shqipërisë.
Tkurrja e numrit të popullsisë për shkak të emigrimit po shkakton një “hemorragji” edhe në arsim. Por, nuk mbeten pas edhe argumentet sociale se përse sot ka rreth 37 mijë nxënës dhe studentë më pak të regjistruar në institucionet arsimore, sesa dy vite më parë.
“Një pjesë e mirë e nxënësve braktisin shkollat në Shqipëri, sepse detyrohen të shkojnë me prindërit e tyre në emigracion. Natyrisht, një pjesë e tyre detyrohen të punojnë. Me keqardhje e them, një pjesë detyrohen edhe të lypin, kurse një pjesë ndihen të shpërfillur në shkollat tona, sepse kanë gjendje shumë të rëndë ekonomike”, tha Zyhdi Dervishi, sociolog.
Shqetësuese mbetet edhe rënia e cilësisë së mësimdhënies dhe vëmendja gjatë orëve mësimore.
“Duhet të flasim edhe për një braktisje shpirtërore të shkollës. Shumë nxënës janë vetëm fizikisht në klasë, por shpirtërisht nuk lidhen me procesin mësimor”, tha më tej sociologu Dervishi.
Ndërkohë që sociologu Dervishi sheh pozitive rritjen e numrit të regjistrimeve në gjimnazet profesionale. Nga 94.457 në vitin 2017, këtë vit pati 95.359 nxënës.
“Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për të rinj të diplomuar, me cilësi të dobët, në shumë degë të universiteteve, për të cilët nuk ka vende pune. Por shoqëria shqiptare ka nevojë edhe për profesionistë me shkollim të mesëm”, deklaroi Zyhdi Dervishi.
Top Channel