“Topi i Artë” është trofeu më i lakmuar nga të gjithë futbollistët, por vetëm pak arrijnë ta marrin atë në duart e tyre.

Dhjetëvjeçari i fundit u dominua totalisht nga Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, me nga 5 tituj secili, një dominim që u ndërpre nga Luka Modriç në vitin 2018. Por, fitimi ose ngjitja në podium në garën për trofeun e “Topit të Artë” ka edhe një vlerë monetare, pasi përfshihen në klauzolat e kontratave të futbollistëve.

Revista prestigjioze franceze “France Football”, që e dorëzon këtë trofe çdo vit, ka bërë një studim në lidhje me këtë pikë, duke publikuar vlerën që ka “Topi i Artë” në kontratat e lojtarëve.

Kur Neymar mbërriti te Barcelona në vitin 2013, në kontratë u përfshi menjëherë klauzola “Topi i Artë” me vlerë 425 mijë euro.

Por, pas dy vitesh u shfaqën opsione të reja në një tjetër kontratë. Një milion paund në rast fitoreje të trofeut, 550 mijë për podiumin dhe 100 mijë për praninë në listën e kandidatëve… Bëhet fjalë për kontratën e Depay te Manchester United, me holandezin që aktualisht është pjesë e Lyonit.

Në këto kohë, ai që ka probabilitet të madh për të fituar “Topin e Artë” është Kylian Mbappe. Të paktën kjo është ajo që imagjinojnë drejtuesit e Paris Saint-Germain, të cilët pas një tratative të gjatë vendosën që të përfshijnë klauzolën e shpërblimit me 500 mijë euro neto për 20-vjeçarin.

Ai që nuk gjen ende konfirmim është shpërblimi prej 1 milion eurosh i destinuar për Lionel Messin, në çdo triumf të “France Football”. Sa i përket fituesit në fuqi të “Topit të Artë”, Luka Modriç, kroati mësohet se përfitoi 800 mijë euro, por që u përfshi në bisedimet për rinovimin e kontratës së parë. Sa i përket futbollit të femrave, për momentin shpërblimi financiar në kontratë nuk shkon më shumë se 25 mijë euro.

Top Channel