Manchester City rrezikon seriozisht përjashtimin nga Champions League dhe arsyet janë të lidhura me dyshimet për parregullsitë financiare të kryera në vitin 2014, kur evitoi normat e “Fair Play”-t financiar, teksa rriti në mënyrë artificiale të ardhurat nga kontratat e sponsorizimit.

Mësohet se Manchester City evitoi rregulloren e UEFA-s nëpërmjet një sistemi që përfshin shoqëri me seli në parajsa fiskale, si ishujt Kajman. Rreth 68 milionë paund u derdhën në arkat e klubit drejtpërdrejt nga pronarët, por që u deklaruan si sponsorizim dhe e gjithë kjo u bë për të mbuluar humbjet financiare në bilanc.

Ndërkohë, e përditshmja amerikane “New York Times” thekson se, nga hetimet e UEFA-s janë zbuluar fakte shumë të rënda në lidhje me këtë çështje, që e bën dënimin e Manchester Cityt me bllokim të merkatos së futbollistëve të pamjaftueshme.

Kjo situatë hap skenare të tjera në futbollin anglez. Kjo, sepse nuk dihet se në cilën periudhë do të ndodhë përjashtimi i Manchester Cityt, gjithnjë nëse do të merret një vendim i tillë. Nëse përjashtimi do të jetë i menjëhershëm, atëherë nga kjo do të përfitojnë Arsenali e Manchester United.

Në këtë rast, “topçinjtë” do të luajnë në Champions League pavarësisht rezultatit në finalen e Europa League, ndërkohë që më e vështirë është të kuptohet se çfarë do të ndodhë me Manchester United, për të cilin nuk përjashtohet rikthimi në Champions, nëse Arsenali fiton ndaj Chelseat në finalen e Bakusë më 29 maj.

Top Channel