Në një reagim të fundit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka dënuar sërish aktet e dhunshme të shfaqura gjatë protestës së opozitës më 11 Maj.
Edhe pse theksohet se protestat paqësore janë thelbësore për demokraci të shëndetshme dhe e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur dhe për të protestuar kundër qeverisë së tyre është themelore, “forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik”, thuhet në reagim.
“Ne dënojmë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike. Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore”, shkruhet në reagimin e Ambasadës së SHBA.
Sipas selisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara, “protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian”.
“Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik”, thuhet më tej, teksa nuk harrohet pa përmendur edhe thirrja ndaj autoriteteve ligjzbatuese që sipas ambasadës kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve.
Top Channel