U mbyll sezoni më intrigues i premier leagues Angleze ku për të 8 herë, skuadra kampione u shpall në javën e fundit të saj. Manchester City triumfoi për të dytin vit radhazi dhe të 6 herë në historinë e tij pas fitores me Brightonin 4-1 që e bëri të pavlefshëm suksesin e Liverpoolit 2-0 ndaj Wolverhampton duke e mbyllur kampionatin me 98 pikë, 1 më shumë se The Reds.

Gjithsesi sezoni nuk është mbyllur ende për City që ka për të luajtur edhe finalen e FA Cup ndaj Watfordit për të mbyllur përfundimisht llogaritë me të gjithë trofetë në tokën britanike.

Ngritja e trofeut në fushën e lojës në përfundim të ndeshjes u shoqërua me festime të zjarrta të lojtarëve në dhomat e zhveshjes së cilëve iu bashkua edhe këngëtari Noel Gallagher, një tifoz i flaktë i Manchester City teksa interpretoi bashkë me lojtarët një pjesë nga kënga e famshme e grupit Oasis, ‘Wonderwall’

Në orët e mbrëmjes, Manchester City u kthye në qytet për t’u bashkuar me 10 mijë tifozë që kishin dalë në rrugë për të festuar këtë titull sa të vështirë aq edhe të merituar të karikuar me një entuziazëm të jashtëzakonshëm.

Top Channel