Nën praninë e artistëve shqiptarë e të huaj e nën vëmendjen e mediave ndërkombëtare, u hap ditën e premte pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias.
Në këtë edicion të 58-të, Shqipëria përfaqësohej me artistin Driant Zeneli me video-instalacionin “Maybe dhe Cosmos is not so extraordinary”, kuruar nga Alicia Knock. Ashtu si vetë artisti e ka prezantuar më herët për Top Channel, e gjithë kjo histori nisi nga kromi dhe Bulqiza.
“Ky kozmos nuk është ndërtuar vetëm nga unë, por shumë persona që kemi punuar për një vit për të realizuar këtë vepër, duke filluar nga këta 5 heronj që janë protagonistë të veprës. Vepra ime u dedikohet të gjithë atyre që besojnë në ëndrra dhe kërkojnë çdo ditë të shtyjnë limitet e tyre”, u shpreh artisti Driant Zeneli.
Kuratorja Alicia Knock u shpreh se vepra e Zenelit shpreh se si ëndrrat mund të bëhen realitet.
“Vepra e Driantit flet për një realitet specifik të Shqipërisë, të Bulqizës, të kromit, që udhëton nga zemra e malit drejt kozmosit”, tha Alicia Knock, kuratore.
Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë artistët Anri Sala, Adrian Paci, Edi Muka, Alban Muja, Anila Rubiku, etj. Kuratori Edi Muka vlerësoi metaforën e përdorur nga Zeneli, për të lidhur nëntokësoren me mbitokësore. Artisti Anri Sala u ndal tek mënyra se si është lidhur tema e zgjedhur nga Zeneli me temën e përgjithshme të Bienales, me shqetësimet dhe problemet që trajton ky edicion, por dhe përpjekjen për të gjetur alternative të tjera.
“You Live In Interesting Times”, është titulli i edicionit të 58-të të Bienales së Venecias dhe i referohet një mallkimi antik kinez, që evokon kohëra pasigurish, krizash dhe kaosi; “kohë interesante”, si këto që po jetojmë. Sipas kuratorit Rugoff, “ndoshta arti, në mënyrë indirekte mund të kthehet në një guidë se si të jetojmë e të mendojmë”.
Top Channel