Sot derbi i kryeqytetit/ Partizani kërkon të marrë titullin që në këtë ndeshje

12/05/2019 13:12

Luhet sot në 16:30 derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, një sfidë kjo që gjithnjë ka qenë shumë e zjarrtë.

Por këtë sezon ky derbi merr një vlerë të dyfishtë si për Të Kuqtë e Skënder Gegës, ashtu edhe për bardheblutë e Ardian Memës për vetë objektivat që kanë këto dy skuadra.

Partizani do të kërkojë që të mbyllë njëherë e mirë llogaritë e titullit kampion në Kategorinë Superiore, një titull që kësaj skuadre i mungon që nga viti 1993 dhe këtë mund ta arrijë në këtë ndeshje Derbi për të festuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Nga ana e saj Tirana është në garë për mbijetesën kështu që një fitore ndaj partizanit do të shërbejë jo vetëm për prestigj por edhe për të larguar hijen e zonës së rënies nga Kategoria.

Por përveç derbit të Tiranës, ditën e sotme do të luhen edhe 3 ndeshje të tjera; Luftëtari-Kukësi, Kastrioti-Flamurtari dhe Skënderbeu-Teuta, ku në lojë janë mbijetesa në Superiore dhe zona evropiane.

Top Channel